AktualitetBota+Të fundit

Qeveria bullgare jep dorëheqje sipas marrëveshjes për ndarjen e pushtetit

Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, ka dhënë dorëheqje të martën, duke i hapur rrugën partnerit të vet në koalicion, partisë së qendrës së djathtë GERB, ta udhëheqë Qeverinë sipas marrëveshjes që këto dy parti e kishin arritur pas zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Megjithatë, kjo ka nxitur një mosmarrëveshje për atë se çfarë do të ndodhë më pas.

Zyra e Këshillit të Ministrave njoftoi për dorëheqjen e Denkovit dhe Qeverisë së tij të martën, nëntë muaj pasi koalicioni qeveritar i Denkovit ishte miratuar nga Parlamenti i Bullgarisë me mbështetje nga dy grupet më të mëdha parlamentare – GERB dhe “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” (PP-DB).

Sipas marrëveshjes së arritur kur GERB dhe PP-DB njoftuan se ishin pajtuar për formimin e Qeverisë vitin e kaluar, Denkov do ta mbante postin e kryeministrit për nëntë muaj dhe pastaj do t’ia dorëzonte detyrën ministres së Jashtme, Maria Gabriel.

“Kjo nuk është lojë politike, por mbajtje e fjalës së dhënë, një shprehje e vazhdimësisë, ndershmërisë politike dhe respektit për qytetarët”, tha Denkov në një komunikatë.

“Tani po e nderoj përkushtimin që ne e dhamë përmes deklaratës së përbashkët më 6 qershor 2023”, shtoi ai.

Denkov dha dorëheqje pasi GERB e paraqiti planin e vet për koalicion më 5 mars, pas disa javësh mosmarrëveshje mes dy partive politike.

Mosmarrëveshjet kryesore janë se kush duhet ta marrë detyrën e ministrit të Jashtëm dhe nëse duhet të ketë ndryshime në rregullatorë.

Sipas PP-DB, Denkov duhet të bëhet ministër i Jashtëm, por GERB nuk dëshiron ta lëshojë këtë post.

GERB-i propozoi në planin e vet për koalicion që Gabriel ta mbajë postin e ministres së Jashtme për nëntë muajt e ardhshëm dhe të shërbejë si kryeministre njëkohësisht.

Ajo propozoi gjithashtu edhe më shumë kohë mes rotacioneve të pushtetit – 15 muaj në vend të nëntë muajve.

Sipas marrëveshjes së arritur në qershor për ndarjen e pushtetit, të gjithë ministrat duhet t’i mbajnë postet e tyre, por prej atëherë GERB-i ka kërkuar që disa ministra të zëvendësohen.

PP-DB në shkurt propozoi një traktat sipas të cilët marrëveshja për lidership të përbashkët nuk do të prekej. Por, BERB e hodhi poshtë këtë dhe propozoi draftin për marrëveshje koalicioni.

Të dyja partitë kanë kërcënuar me zgjedhje të parakohshme, nëse nuk arrihet marrëveshje.

Fraksion.com