Ligji i ri për Policinë e Shtetit, Balla: Ka në fokus meritokracinë. Do t’i nënshtrohet diskutimeve publike
Ministria e Brendshme për pak ditë pritet të publikojë draftligjin e ri për Policinë e Shtetit, i cili pritet të ketë në fokus meritokracinë dhe integritetin e punonjësit të Policisë së Shtetit, duke i hapur rrugë karrierës në radhët e saj.
Në një prononcim për mediet, në përfundim të një konferencës me temë “Llogaridhënia”, ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se draftligji, i cili po përgatitet për t’u hedhur në konsultim publik, do të ketë në fokus mundësinë që çdo punonjësi i ndershëm dhe me integritet i Policisë së Shtetit të bëjë karrierë.
“Ligji i ri i Policisë Shtetit duhet t’i japë rëndësi meritokracisë. Duhet t’i garantojmë që çdo punonjësi të ndershëm të Policisë së Shtetit të bëjë karrierë. Ka patur një stanjacion për sa i përket ndryshimit të gjeneratave dhe në këtë aspekt mendoj që pas konsultimesh, do të kemi shumë shpejt një draft që do të bëhet publik, ku dhe opinioni publik do jetë i mirëpritur”, tha Balla.
“Unë mendoj që ligji i ri i Policisë së Shtetit, i cili i është referuar dhe eksperiencave më të mira, duhet të garantojë një Polici Shteti e cila i përgjigjet kërkesave dhe pritshmërive të publikut, në qasjen tonë për ta shndërruar Policinë e Shtetit si institucioni më i besuar nga publiku në vendin tonë”, theksoi ministri Balla.
Balla tha se draftligji i ri do të hidhet për konsultim publik pas pak ditësh. Ai shtoi se dokumenti është voluminoz. “Edhe për sa i përket numrit të neneve, edhe për sa i përket ndryshimeve është një ligj goxha i madh. Në këtë aspekt, puna përfundimtare është po aq e rëndësishme për ta bërë gati, për t’iu nënshtruar diskutimeve publike”, u shpreh Balla.
Ministri i Brendshëm tha se shihet mundësia dhe për një kodi të ri të etikës për Policinë e Shtetit. Ai tha se në këtë prizëm ka shumë ide të reja që mund të përfshihen.
“Është shumë e nevojshme që të rregullojmë qasjen e punonjësve të Policisë së Shtetit, për të parandaluar çdo lloj kontakti të papërshtatshëm, në mënyrë që të garantojmë që punonjësit e Policisë së Shtetit apo të Gardës së Republikës, apo edhe ata të shërbimit Zjarrfikës dhe Shpëtimit, që hyjnë në juridiksionit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ta kenë të qartë që në ushtrimin e detyrës së tyre, duhet të parandalojnë çdo formë konflikti interesi, pasi duhet t’i garantojmë punonjësit të Policisë dhe jo vetëm, punë me integritet të lartë”, tha ministri Balla.
Kreu i Ministrisë së Brendshme tha se aleati më i madh i Policisë së Shtetit në detyrën e vet, është publiku. “Që të garantosh besimin e publikut duhet të punosh me integritet dhe ndershmëri. Në këtë aspekt, edhe kjo konferencë sot për llogaridhënien, i vlen ideve të reja për ta çuar shumë shpejt për një diskutim tjetër publik edhe Kodin e ri të etikës në Policinë e Shtetit”, nënvizoi Balla.
Fraksion.com