AktualitetTë fundit

“Dosja është e kopsitur, por…”, ish-Prokurori: Nëse Beleri shkon në Strasburg, e ka të fituar gjyqin

Ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, i ftuar në studion e “Open” në News24 ka folur rreth dënimit të Fredi Belerit ditën e sotme.

Ai u shpreh se çështja duhej trajtuar në mënyrë të kujdesshme sa i takon procedurave për shkak të ngarkesave të personazhit në fjalë dhe ndikimeve politike edhe nga jashtë vendit.

Sipas tij në pikëpamjen formale “dosja është e kopsitur”, por problemi është se në këtë rast ka provokim të aktit të korrupsionit.

Ai theksoi se nëse kjo çështje do të shkojë në gjykatën e Strasburgut, ajo “është e fituar” nga ana e Belerit për shkak të ndikimeve politike dhe deklaratave nga ana e kryeminsitrit.

“Është një çështje që donte kujdes të jashtëzakonshëm sa i takon procedurave të kryera. Përveç ngarkesave për personazhin kishte ndikim të drejtpërdrejtë nga shteti fqinj. SPAK dhe Prokuroria nuk mund të linin asnjë boshllëk procedural. Nëse ka kërkesa nga mbrojtja që janë refuzuar i lind e drejta palës së akuzuar për të dyshuar për padrejtësi.

Problemi është nëse kemi të bëjmë me provokim të aktit të korrupsionit apo një natyrshmëri të aktit. Nëse lexon provat e kupton se në pikëpamjen formale kemi një dosje të kopsitur, por nëse asaj i shtojmë impaktet nga jashtë duhet që procesi të mos lejonte asnjë mëdyshje procedurale.

Provat sipas meje janë bindëse në pikëpamjen formale, por prokuroria duhet të kishte një dyshim, Kemi të bëjmë me një situatë të provokuar dhe kjo do sqarohej duke pyetur personin që ka bërë marrëveshje me policinë për të provokuar situatën. Procesi lë hapësira për mëdyshje. Mënyra si është trajtuar nga mazhoranca situata këta e kanë të fituar dosjen në Strasburg. Nëse dosja ka ndërhyrje nga politika për dënimin, Strasburgu gjithmonë vendos pro shtetasit. Kjo vërtetohet nga deklaratat publike”, u shpreh ai.

 

Fraksion.com