AktualitetTë fundit

Zaçaj: Gjykata Kushtetuese, element kyç në garantimin e parimit të shtetit të së drejtës

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Holta Zaçaj, mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar për nder të gjyqtarit Anthony Kennedy, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një karrierë të shkëlqyer si jurist, dedikuar promovimit dhe forcimit të shtetit të së drejtës.

Zaçaj mori pjesë në këtë ceremoni me ftesë të Javier Cremades, Kryetar i Shoqatës Botërore të Juristëve (WJA).

Gjatë sesionit me titull “Pavarësia e Gjyqësorit dhe Indeksi i Shtetit të së Drejtës”. Kryetarja Zaçaj në fjalën e saj theksoi se “vetëm një gjykatë e pavarur, së cilës i garantohet paprekshmëria e mandatit të anëtarëve të saj, mund të konsiderohet si një gjykatë që administron drejtësinë kushtetuese, në përputhje me parimet kushtetuese”.

Po ashtu, ajo shtoi se “në drejtim të garantimit të parimit të shtetit të së drejtës, Gjykata Kushtetuese është një element kyç për sa kohë që kontrolli kushtetues është një nga këto mekanizmat që ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi”.

Shoqata Botërore e Juristëve (WJA) është krijuar në vitin 1963 si një forum ndërkombëtar ku kryetarë shtetesh, gjyqtarë, qeveritarë, akademikë, avokatë, aktivistë dhe figura të tjera të rëndësishme bashkëpunojnë për promovimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Fraksion.com