AktualitetPolitikëTë fundit

Cummings: Kuçova, stacion modern për operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor

Menaxherja e Përgjithshme e Agjencisë së NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimet (NSPA), Stacy. A. Cummings vlerësoi sot se Kuçova është tashmë një stacion modern për operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Në ceremoninë e organizuar për hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, Cummings tha se punimet u përmbushën brenda afateve të pritshme dhe në përputhje me buxhetin fillestar.

“Baza ajrore e Kuçovës na kontaktoi për projektimin dhe shërbimin që të punonim krah për krah me Shqipërinë dhe kontraktorët italianë dhe me mbështetjen e paçmuar të autoriteteve lokale të Shqipërisë ofruam punime me cilësi të shkëlqyer, me materiale me standardet e NATO-s. Punimet u përmbushën brenda afateve të pritshme dhe në përputhje me buxhetin fillestar, një arritje e vërtetë sfiduese duke pasur parasysh edhe inflacionin që ndodhi gjatë realizimit të projektit”, tha ajo.

Sipas saj, u kryen përmirësime me modernizime që përfshijnë rinovimin e një kulle kontrolli si edhe një dhome kontrolli të rimodernizuar dhe hapësira që sigurojnë magazinimin dhe ndriçimin.

“Ky ka qenë ekzekutimi i programit të parë të investimit të NATO-s në Shqipëri dhe NSPA është krenare që ka ofruar mbështetje efikase dhe mjaft të shpejtë për Shqipërinë për të realizuar këtë hap në infrastrukturë, jo vetëm për vendin pritës, por gjithashtu edhe për Aleancën”, tha ajo.

Cummings bëri të ditur se “si agjencia kryesuese për blerjet në nivel ndërkombëtar për mbështetje për sistemet në NATO, ne dëshmojmë kapacitetet tona për të vepruar për projekte komplekse dhe urgjente”.

“Duke u mbështetur në këtë gur themeli ne presim me padurim që të shtrijmë partneritetin në Shqipëri, duke zgjeruar gamën e blerjeve të infrastrukturës të mjeteve logjistike, si dhe mbështetjen e operacioneve dhe të shërbimeve të ndryshme. NSPA është e gatshme që të rrisë kapacitetet ndërkombëtare dhe të forcojë aftësinë e Aleancës për të përmbushur detyrat e saj themelore për parandalimin e krizave, menaxhimin e tyre si për sigurinë e përbashkët”, tha ajo.

 

Fraksion.com