Zgjedhjet në Beograd: Vuçiq bën thirrje për zbatim të rekomandimeve të ODIHR-it
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 2 mars se i ka kërkuar listës zgjedhore të lidhur me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) që të shkojë në zgjedhje të reja në Beograd.
“E di që e keni shumicën, mirëpo më mirë është të humbësh sesa të përsëritet situata e vitit 2008, kur Partia Demokratike dhe Socialistët kanë kryer vjedhje zgjedhore”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media në Presidencën e Serbisë.
Ai i ka bërë thirrje qeverisë për të zbatuar menjëherë rekomandimet e bëra prej Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në raportin e publikuar për zgjedhjet e mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar në Serbi.
Më 28 shkurt, ODIHR e ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet e 17 dhjetorit.
Në të është thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi “janë dominuar prej pjesëmarrjes vendimtare të presidentit, i cili, bashkë me përparësinë sistematike të partisë në pushtet, kanë krijuar kushte jo të drejta për pjesëmarrësit”.
Mes tjerash, është përmendur se “në përgjithësi, liritë themelore janë respektuar në fushatë, mirëpo ato janë minuar prej retorikës së ashpër, paragjykimeve në media, presionit te punëtorët e sektorit publik dhe abuzimeve me burime publike”.
Përveç raportit të ODIHR-it, edhe vëzhguesit e brendshëm në Serbi, dhe ata të huaj kanë përmendur parregullsi në procesin zgjedhor.
Ditë më parë, edhe Parlamenti Evropian e ka miratuar një rezolutë që bën thirrje për hetim ndërkombëtar për dyshimet për parregullsi në zgjedhje, si dhe për pezullim të fondeve evropiane, nëse vërtetohet që autoritetet kanë qenë drejtpërdrejt të përfshira në mashtrime zgjedhore.
Në rezolutë, Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që sidomos të hetohen zgjedhjet për qytetin e Beogradit, si dhe dyshimet për bartje të organizuar të votuesve në nivel lokal.
Ditën e 17 dhjetorit, Serbia i ka organizuar zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore.
Seanca konstitutive për Asamblenë e qytetit të Beogradit, që është paraparë të mbahet më 1 mars, është shtyrë për herë të dytë për 3 mars, për shkak të mungesës së kuorumit.
Pjesëtarët e partisë SNS dhe Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) nuk kanë marrë pjesë në seancë.
Fraksion.com