AktualitetPolitikëTë fundit

Rama nga Elbasani: Në 2025, fitore më e madhe

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi sot mbledhje me dy organizata të Partisë Socialiste të bashkisë Elbasan, në kuadrin e procesit të rienergjizimit të Partisë Socialiste në shkallë kombëtare.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Rama u shpreh se falë punës serioze PS ka arritur që të marrë dy mandate me një shumicë të pavarur nga të tjerët.

“Jo rastësisht unë erdha për të takuar dy organizata të Partisë Socialiste dhe jo vetëm drejtuesit, deputetët me të cilët takohemi zakonisht dhe po kështu do të shkoj në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre ditëve për të takuar organizatat socialiste. Ne, falë faktit që kemi punuar seriozisht, falë faktit që jemi organizuar mirë, falë faktit që jemi angazhuar më shumë se të tjerët, kemi arritur diçka që në fillim, kur morëm këtë detyrë, dukej e pamundur. Kemi arritur që të marrim dy mandate me një shumicë të pavarur nga të tjerët”, tha Kryeministri.

Rama theksoi se “Partia Socialiste duhet të jetë në gjendje që të ruajë lidershipin, të garantojë hegjemoninë e vet në jetën politike shqiptare”.

“Ne na duhet një rienergjizim i organizatës së Partisë Socialiste, në radhë të parë, dhe pastaj një rienergjizim i strukturave tona më lart dhe një rienergjizim i gjithë procesit qeverisës. Ne, në 2025 duhet të marrim një fitore më të madhe sesa e mëparshmja”, tha ai.

Ndërsa deputeti Damian Gjiknuri, u shpreh se “ky është një proces që na vlen të gjithëve, mbi të gjitha për të verifikuar kë kemi tamam anëtar aktiv dhe për ta pasuruar me njerëz që vijnë me pasion, me dëshirë”.

“Identiteti është gjithmonë unik, por ndërkohë identiteti pasurohet me nevojat që kërkon koha. Partia Socialiste këtë duhet të bëjë, edhe kryetari i partisë, prandaj ka nisur këtë proces”, tha ai.

Fraksion.com