Kosovë, SHBA dhe BE thirrje për përmbylljen e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier dhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog, u shprehën të zhgënjyer të shtunën me siç thanë stërzgjatjen e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të shtetit dhe bënë thirrje për ruajtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë në vend.
Ata i bënë këto komente në konferencën vjetore të prokurorëve gjatë së cilës u tha se viti i kaluar ka qenë shumë sfidues për fushën e sundimit të ligjit.
“Dy vjet më parë, mendoj se kam qenë pikërisht në këtë vend dhe kam kërkuar, kam bërë thirrje që Këshilli Prokurorial i Kosovës të sigurojë një proces të drejtë, transparent dhe të bazuar në merita për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të shtetit. Po e përsëris këtë kërkesë sërish dhe me keqardhje që po e bëj dy vite më pas”, tha ambasadori amerikan Hovenier.
“Kjo zgjidhje e përkohshme me ushtrues detyre nuk duhet të stërzgjatet. Situata aktuale po ndikon negativisht në sistemin prokurorial dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të përmbushë përgjegjësinë e tij për të garantuar vendosjen e funksioneve të nevojshme menaxhuese”, tha zoti Szunyog.
Në tetor të vitit të kaluar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nuk e miratoi zgjedhjen e Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, për shkak të siç tha atë kohë “disa shkeljeve ligjore” ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës i hodhi poshtë arsyetimet e presidentes si të pabazuara dhe tendencioze. Blerim Isufaj ishte përzgjedhur kandidat për të udhëhequr Kryeprokurorinë e Shtetit nga Këshilli Prokurial dhe ishte në pritje të miratimit që nga muaji prill i vitit 2022.
Vitin e kaluar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, akuzoi kandidatin për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, si kundërshtues të politikave të pushtetit të ri. Zyrtarë qeveritarë kritikuan prokurorët për zvaritje në procesin e ndjekjes penale të autorëve të sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar ndaj policisë së Kosoëvs në veri.
“E di se është frustruese e nganjëherë edhe ofenduese, të përballesh me kritika për punën që po e bën dhe që po e bën mirë, jo vetëm nga publiku por edhe nga udhëheqësit e degëve të tjera të qeverisë që gjithashtu kanë përgjegjësi të mbrojnë sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë në Kosovën. Dua të theksoj se përballja me këto kritika dhe moslejimi që ato tu pengojnë të përmbushni betimin tuaj para ligjit është shumë i rëndësishëm, ju duhet ta ruani pavarësinë tuaj e të vazhdoni të kryeni mandatin tuaj me profesionalizëm”, tha ambasadori Hovenier.
“Pavarësia e prokurorisë është e panogicueshme dhe siguron që vendimet po merren në bazë të ligjit dhe pa asnjë ndikim të jashtëm e të brendshëm. Kohëve të fundit kam vërejtur në media deklarata nga qeveria me kritika për prokurorët dhe gjyqtarët. E kam kritikuar publikisht këtë duke theksuar rëndësinë thelbësore të pavarësisë së prokurorisë dhe gjykatave”, tha ambasadori Szunyog.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë, Besim Kelmendi, tha se puna dhe imazhi i këtij institucioni po dëmtohen nga procesi i stërzgjatur i emërimit të kryeprokurorit të ri. Ai tha se përgjatë vitit 2023 zyra e tij ka pranuar 52 mijë e 93 raste, nga të cilat ka përmbyllur 41 mijë e 973.
“Në mesin e këtyre rasteve një rëndësi të posaçme e ka puna rreth rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik. Prokurori i Shtetit në vitin 2023 ka pranuar në punë një mijë e 182 raste me dy mijë e 192 persona dhe nga to ka përfunduar 920 raste me një mijë e 622 persona. Ndërsa te krimet ekonomike kemi përfunduar 446 raste me 583 persona. Dua të tërheq vëmendjen se ne duhet të jemi më proaktiv sa i përket rasteve të korrupsionit, sidomos atij të nivelit të lartë, sepse pasojat e korrupsionit për shoqërinë janë shumë të mëdha”, tha zoti Kelmendi.
Një anketim i zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, flet për një rritje të lehtë të knaqshmërisë së qytetarëve me punën e Prokurorisë./voa
Fraksion