Kumbaro−Mogherini nënshkruajnë memorandumin: Studentët e Kolegjit të Evropës ambasadorë të turizmit shqiptar
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini firmosën një memorandum mirëkuptimi për promovimin e kulturës, trashëgimisë, pasurive natyrore të Shqipërisë përmes angazhimit të studentëve të Kolegjit të Evropës me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit.
Sipas këtij memorandumi, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit, do të hartojë itineraret turistike dhe do të sigurojë udhërrëfimin turistik përmes udhërrëfyesve të certifikuar nga kjo ministri.
“Jam shumë e kënaqur që sot mirëpres në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, një mikeshë të Shqipërisë, një diplomate të klasit më të lartë që është edhe rektorja e Kolegjit të Evropës këtu në Tiranë. Jam e lumtur që ky kolegj nuk do të mirëpresë vetëm studentë shqiptarë, por studentë nga gjithë Europa dhe bashkë me Federikën kemi vendosur që këtyre studentëve t’u japim jo vetëm dijen për të cilën kolegji i Evropës është gjithë mjeshtëria që mund të imagjinohet në fushën e diplomacisë dhe të shkencave politike, por t’u japim edhe një shije të mirë të Shqipërisë sepse njëra nuk shkon pa tjetrën. Ne do të bëjmë më të mirën që t’u japim atyre mundësinë ta vizitojnë Shqipërinë, ta shijojnë Shqipërinë edhe pse jo, të bëhen ambasadorë të ardhshëm të Shqipërisë turistike, të Shqipërisë së kulturës, të Shqipërisë europiane. Kështu sot firmosëm një marrëveshje pikërisht që të formojmë së bashku jo vetëm liderë të së ardhmes, por edhe ambasadorë të cilët do ta prezantojnë Shqipërinë me shijen e tyre personale”, u shpreh ministrja Kumbaro gjatë nënshkrimit të memorandumit.
Fraksion.com