AktualitetBota+Të fundit

Deti i Kuq: Fregata gjermane përfshihet në luftimet e para

Fregata gjermane “Hessen” në detyrë në Detin e Kuq u gjend për herë të parë në një situatë për të qëlluar me municion të vërtetë. Ajo iu përgjigj sulmeve.

Fregata gjermane “Hessen”, e vendosur në Detin e Kuq për të mbrojtur anijet tregtare, zmbrapsi sulmin e parë nga Huthi, një milici që vepron nga Jemeni. Sipas Bundeswehrit, një anije që merrte pjesë në misionin ushtarak të BE-së “Aspides” shkatërroi dy dronë. Ishte përdorimi i parë i municioneve nga marina gjermane në një operacion që filloi të premten dhe konsiderohet si misioni detar më i rrezikshëm në historinë e Bundeswehrit.

Pistorius: “Një nga misionet më të rrezikshme”

Duke bombarduar anijet tregtare në Detin e Kuq, milicia Huthi, aleate me Iranin, dëshiron t’i japë fund sulmeve izraelite në Rripin e Gazës. Operacioni ushtarak izraelit është një përgjigje ndaj sulmit terrorist të Hamasit islamik më 7 tetor.

Ushtarët gjermanë në Fregatën „Hessen“
Ushtarët gjermanë në Fregatën „Hessen“Fotografi: Michael Fischer/dpa/picture alliance

Rruga detare përmes Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit është një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë. Për shkak të sulmeve nga Huthi, të armatosur nga Irani, kompanitë e mëdha të transportit detar po shmangin gjithnjë e më shumë lidhjen më të shkurtër detare midis Azisë dhe Evropës – me pasoja të rëndësishme për ekonominë globale.

Ministri Boris Pistorius viziton ushtarët në Fregatën "Hessen"
Ministri Boris Pistorius viziton ushtarët në Fregatën “Hessen”Fotografi: Michael Fischer/dpa/picture alliance

Të premten, Bundestagu miratoi pjesëmarrjen gjermane në misionin e BE-së “Aspides”. Fregata “Hessen” u nis më parë nga Wilhelmshafen për në zonën operative me qëllim që të fillojë të përmbushë detyrat e saj menjëherë pas vendimit të Bundestagut.

Ky mision kontribuon edhe në stabilizimin e rajonit, tha ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius. “Por duhet të jemi të qartë: misioni i “Hessen” është një nga më të rrezikshmit për marinën gjermane në dekadat e fundit”, paralajmëroi ministri.

Huthi do të zgjerojë sulmet

Javën e kaluar, milicia Huthi bëri të ditur se do të zgjerojë sulmet ndaj anijeve tregtare në brigjet e Jemenit. Udhëheqësi Abdel-Malik al-Houthi tha në një fjalim televiziv se përshkallëzimi ishte një përgjigje ndaj përshkallëzimit të Izraelit në Rripin e Gazës. Deri tani janë sulmuar 48 anije. Ai gjithashtu njoftoi përdorimin e armëve nënujore.

Disa vende perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, janë përfshirë në operacionet për të zmbrapsur sulmin./DW

 

Fraksion.com