AktualitetPolitikëTë fundit

“Ballkani Perëndimor s’ka kohë pë luftë”, Peleshi: Duam të futemi në tregun e industrive ushtarake

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, në një intervistë televizive, tha se samiti i zhvilluar këtë të mërkurë mes vendeve të Europës Juglindore dhe Ukrainës në Tiranë, ku ishte i pranishëm dhe Presidenti Ukrainas, Zelensky, konfirmoi edhe një herë peshën që ka vendi ynë në rajon.

Sipas Peleshit, samiti i dha një sinjal të fortë Rusisë dhe botës, pasi u tregua se Ballkani Perëndimor s’ka më kohë për konflikte dhe për t’iu rikthyer konflikteve.

“Ky samit i vendeve të Europës Juglindore për Ukrainën i ka dhënë peshën që ka në të vërtetë Shqipëria në rajon dhe Juglindje të Europës. Rajoni jonë ka një pozicion jo thjesht të rëndësishëm, por edhe të rrezikuar nga agresioni rus. Jo më kot, presidenti famëkeq Putin shpesh e ka cituar rajonin tonë, duke lëshuar dhe kërcënime. Ishte një sinjal shumë i fortë për Rusinë ky samit, por edhe për t’i thënë botës, që Ballkani Perëndimor s’ka më kohë për konflikte dhe për t’iu rikthyer konflikteve”, tha Peleshi.

Peleshi shtoi se Shqipëria kërkon t’i rikthehet industrisë së prodhimit të armëve.

“Lufta në Ukrainë është një luftë e ashpër ndaj një shteti siç është Rusia. Ukraina s’po lufton vetëm për veten, por po lufton edhe për pjesën tjetër demokratike të botës. Heroizmi i tyre s’do të mjaftojë nëse s’do jenë të furnizuar me armë, municione e teknologji… E keni dëgjuar çështjen e furnizimeve, kapaciteteve të kufizuara, apo shteruara të disa vendeve për prodhimin e municioneve, prandaj dhe Ukraina është duke parë tregje dhe mundësi alternative”, tha Peleshi.

“Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë dhe rajon, që nuk ka industri të prodhimit të armëve. Është një industri që siguron të ardhura të rëndësishme në ekonominë e vendit, por edhe në forcimin e kapacitetit tonë mbrojtës, në një kohë që po jetojmë, ku paqja e stabiliteti janë të kërcënuara gjithnjë  e më shumë. Poliçani nuk punon, prodhonte fishekë të disa kalibrave. Kemi Mjekësin, por aty prodhohen vetëm disa lloj fishekës. Ne duam të futemi në këtë industri. Ne po kërkojmë investime, kemi bërë hapa serioze me MSPA për të hartuar një studim fizibiliteti. Pjesa e madhe e makinerive nuk punon më”, tha Peleshi më tej.

 

Fraksion.com