“A nuk e kuptojnë ata këtë?!”, Putini paralajmëron NATO-n për rrezikun e luftës bërthamore
Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi vendet perëndimore të enjten se ekziston një rrezik i vërtetë për luftë bërthamore nëse ato dërgojnë trupat e tyre për të luftuar në Ukrainë, ndërsa theksoi se Moska ka armë për të goditur objektivat në perëndim.
Duke iu drejtuar parlamentit dhe anëtarëve të tjerë të elitës së vendit, presidenti rus Vladimir Putin, 71 vjeç, përsëriti akuzën e tij se perëndimi është i prirë për të dobësuar Rusinë dhe sugjeroi se udhëheqësit perëndimorë nuk e kuptojnë se sa e rrezikshme mund të ishte ndërhyrja e tyre në ato, që ai i cilësoi si punët e brendshme të Rusisë.
Ai e bëri këtë paralajmërimin duke iu referuar një ideje të paraqitur nga presidenti francez Emmanuel Macron të hënën, se dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë nuk duhet “përjashtuar” në të ardhmen, ndërsa po shënohet viti i tretë i sulmit në shkallë të gjerë nga Rusia, një ide që u refuzua shpejt nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania dhe të tjerët.
“(Kombet perëndimore) duhet ta kuptojnë se ne kemi gjithashtu armë që mund të godasin objektivat në territorin e tyre. E gjithë kjo kërcënon me të vërtetë një konflikt me përdorimin e armëve bërthamore dhe shkatërrimin e qytetërimit. A nuk e kuptojnë ata këtë”?! tha presidenti Putin.
Ndërsa po fliste në parlament para zgjedhjeve presidenciale të 15-17 marsit, në të cilat ai është i sigurt se do të rizgjidhet për një mandat tjetër gjashtëvjeçar, presidenti rus e vlerësoi atë që ai tha se ishte arsenali bërthamor jashtëzakonisht i modernizuar i Rusisë, më i madhi në botë.
Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të rëndë në marrëdhëniet e Moskës me perëndimin që nga kriza e raketave Kubane në vitin 1962 dhe presidenti Putin ka paralajmëruar më parë për rreziqet e një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë.
Dukshëm i zemëruar, presidenti Putin, udhëheqësi i Rusisë për më shumë se dy dekada, u kërkoi politikanëve perëndimorë të kujtojnë fatin e atyre, si Adolf Hitleri i Gjermanisë naziste dhe Napoleon Bonaparta i Francës, të cilët pushtuan pa sukses vendin e tij në të kaluarën.
“Por tani pasojat do të jenë shumë më tragjike”, tha presidenti rus.
Fraksion.com