Zelensky nga Tirana: Mirënjohës për bashkëpunimin, nuk mund të fitojmë të vetëm kundër Putinit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në çelje të punimeve të Samitit Ukrainë – Europa Juglindore, në Tiranë, deklaroi se çdo komb mund t’ia dalë të mbrohet dhe fitojë, kur kombet e ndryshme bashkëpunojnë dhe njerëzit e tyre janë të motivuar për rezistencë.
“Gjatë të gjithë kësaj lufte, një luftë në të gjitha frontet, ne kemi treguar se është e mundur t’i bësh ballë dhe të fitosh mbi një armik që duket se është një nga më të fuqishmit në botë. Çdo komb mund t’ia dalë të mbrohet dhe fitojë kur kombet e ndryshme bashkëpunojnë dhe njerëzit e tyre janë të motivuar për rezistencë. Ne propozojmë të gërshetojmë përpjekjet tona dhe t’i fuqizojmë ato”, tha Presidenti ukrainas, Zelensky.
Zelensky theksoi se nuk mjafton vetëm fuqia e Ukrainës për të fituar mbi Putinin.
“Jemi krenarë që kemi rreth 500 kompani në fushën e mbrojtjes që operojnë e funksionojnë në Ukrainë, në fusha të ndryshme dhe secila prej tyre shton fuqinë tonë, por nuk mjafton kjo për të fituar mbi Putinin”, u shpreh Zelensky.
Ai ngriti shqetësimin e furnizimit me municione për Ukrainën, ndërsa shtroi nevojën për bashkëpunim për bashkëprodhimin e tyre në rajonin tonë.
“Shikojmë probleme edhe në ofertën sa i përket municioneve, të cilat ndikojnë situatën tonë në fushën e betejës. Ndaj jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe partnerët tanë“, deklaroi Presidenti.
Ai propozoi mbajtjen e një forumi të posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit, në Kiev apo një nga qytetet ballkanike.
Zelensky shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe ndërveprimin e deritanishëm, duke e konsideruar si faktor kyç që nuk po e lejon Putinin të fitojë.
“Ju jam mirënjohës për punën e përbashkët me vendet tuaja, sa i përket rrugëve, porteve, hekurudhave, por edhe në det. Dhe së bashku me paketën e mbrojtjes dhe mbështetjen politiko-makrofinciare, ky ndërveprim mes nesh, mes fqinjve, rajoneve fqinje, partnerëve, është kthyer në një faktor, i cili së bashku me rezistencën e popullit tonë në Ukrainë nuk e lejon Putinin të fitojë. Dëshiroj të theksoj edhe punën tonë të përbashkët në Detin e Zi dhe rajonin e Danubit”, theksoi Zelensky.
Sa i përket sigurisë së ushqimit, Zelensky u shpreh se bashkëpunimi në këtë drejtim ndihmon të gjithë botën.
“Ne duhet të vazhdojmë të zhvillojmë edhe më tej marrëdhëniet tona të fqinjësisë së mirë.
Në fushën e logjistikës, të infrastrukturës, tregtisë dhe marrëdhëniet që kemi me njeri- tjetrin për energjinë”, tha Presidenti ukrainas.
Sa i përket bashkëpunimit politik, Presidenti Zelensky nënvizoi se gjithçka që na bën ne partnerë të mirë, e bën Putinin më të dobët.
“Prandaj ai investon aq shumë në ndarje dhe në kriza, në përçaj e sundo. Ai e di fare mirë se çfarë u bën mirë interesave të tij. Por ne duhet të dimë se çfarë u bën mirë interesave tona sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të mbrojmë njëri-tjetrin. Lavdi Ukrainës”, deklaroi Presidenti i Ukrainës nga Tirana.
Fraksion.com