SHBA, bisedime të tensionuara mbi ndihmën për Ukrainën dhe buxhetin
Presidenti amerikan Joe Biden u bëri thirrje të martën udhëheqësve të Kongresit që miratojnë një projektligji për sigurinë kombëtare, i cili përfshinë ndihma për Ukrainën dhe Izraelin dhe do të shmangte një mbyllje të pjessshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Sipas pjesëmarrësve, takimi mes Presidentit Biden dhe udhëheqësve të Kongresit ishte i tensionuar.
“Unë mendoj se pasojat e mosveprimit janë të tmerrshme për Ukrainën”, tha Presidenti Biden përpara takimit të tij me udhëheqësin e shumicës në Senat, Chuck Schumer, udhëheqësin e pakicës në Senat, Mitch McConnell, kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson dhe udhëheqësin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries.
“Unë mendoj se është përgjegjësi e Kongresit të miratojë buxhetin”, tha Presidenti Biden. “Ne duhet ta bëjmë këtë. Një mbyllje e qeverisë do të dëmtonte rëndë ekonominë dhe mendoj se ne të gjithë jemi dakord për këtë. Dhe ne kemi nevojë për zgjidhje dypartiake.”
Më pas, senatori Schumer tha se diskutimet mbi ndihmat për Ukrainën ishin të tensinuara.
“Takimi për Ukrainën ishte një nga takimet më tensionuara që kam përjetuar ndonjëherë në shumë takime, që unë kam marrë pjesë në Shtëpinë e Bardhë”, tha ai për gazetarët.
Ai tha se mos mbështetja e Ukrainës do t’u jepte një sinjal aleatëve se ata nuk mund të llogarisin në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Senati i udhëhequr nga demokratët miratoi një projekt-ligj dypartiak për sigurinë kombëtare në fillim të këtij muaji që përfshinë 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën, 14 miliardë dollarë për Izraelin, gati 5 miliardë dollarë për të mbështetur partnerët në rajonin e Indo-Paqësorit, përfshirë Tajvanin, dhe ndihmë të tjera.
Shtëpia e Bardhë ka shpenzuar pjesën më të madhe të këtij viti duke i bërë thirrje Kongresit të miratojë projektligjin dhe disa zyrtarë të administratës amerikane kanë theksuar se nuk ka asnjë plan rezervë për të ndihmuar Ukrainën, në rast të mosmiratimit të projektligjit.
“Ne kemi nevojë për miratimin e projektligjit tani”, tha John Kirby, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare. “Ne jemi tashmë në një farë mënyre, shumë vonë. Ata humbën qytetin e Avdivkës për shkak të mungesës së municioneve. Pra, në disa mënyra, tashmë ka një efekt dramatik”.
Zoti Johnson është zotuar se nuk do ta hedhë projektligjin për votim në Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se populli amerikan dëshiron që ligjvënësit të përqëndrohen në problemet e brendshme, duke përfshirë sigurinë kufitare, në vend që të dërgojnë ndihmë jashtë vendit.
Pas takimit të grupit të udhëheqësve, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson zhvilloi një takim të shkurtër privat me Presidentin Biden. Më pas, ai nuk dha asnjë sinjal se do të lëvizte drejt hedhjes për votim të projektligjit mbi ndihmat për Ukrainën dhe Izraelin. Por ai tha se Kongresi ka punuar me “mirëbesim” dhe “pa pushim” çdo ditë për javë dhe muaj për të “mbaruar punën”.
“Përparësia e parë e vendit është siguria e kufijve tanë”, tha ai. “Unë besoj se presidenti mund të përdorë autoritetin ekzekutiv që tani, që sot, për ta ndryshuar këtë. Dhe këtë ia thashë sërish sot personalisht, siç i kam thënë shumë herë, publikisht dhe privatisht gjatë disa javëve të fundit. Është koha për veprim. Është një gjendje e rëndë, që duhet të zgjidhet dhe ne do të financojmë qeverinë dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë.”
Shtëpia e Bardhë tha se kërkesat e zotit Johnson për kufirin janë të paqarta.
“Unë mendoj se ai vetë nuk e dinë se çfarë dëshiron”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre. “Dhe unë e them këtë me seriozitet të madh.”
Udhëheqësit e Kongresit kanë deri të premten kohë për të rënë dakord mbi buxhetin e një pjese të qeverisë, duke përfshirë sektorët e bujqësisë, transportit dhe disa shërbime të veteranëve të luftës. Afati për të miratuar buxhetin për pjesën tjetër të qeverisë është një javë më vonë.
Disa informacione për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.
Fraksion.com