Rrëfimi gjakftohtë i Hygertës, përmbysen hetimet për vrasjen e Pëllumb Metës
Hygerta Meta, 19-vjeçarja që bashkë me dy vëllezëri vrau dhe më pas groposi të atin ka rrëfyer personalisht para gjykatës versionin e saj për momentin kur qëlloi për vdekje Pëllumb Metën
Ajo nisi të flasë fillimisht për klimën e dhunës dhe të kërcënimeve që ekzistonte në familje për shkak se Pëllumb Meta kishte qenë një njeri i ashpër. Ajo tha se pas kërcënimeve të vazhdueshme që vinin nga i ati, Hygerta kishte menduar se babai i saj mund ta vriste realisht.
Pasi ka shpjeguar atmosferën mbytëse që ishte krijuar në familje, Hygerta ka treguar gjakftohtë momentin e vrasjes së të atit, jo si një akt kriminal, por si një zgjidhje për kalvarin e vuajtjeve në të cilin kishte kaluar 19 vjeçarja dhe familjarët e tjerë.
“Ishte e vështire dhe pata frikë. Vëllai ka ardhur nga Italia para dy javësh. Babai me tha për fejese e i thashë jo. Nga refuzimi që i kam bërë për fejesë babait, kisha hall se me vriste. Në fund të janarit më tha për fejesë dhe më kërcënoi mua dhe mamin, se do të na vriste.Me mamanë ka patur konflikte me dhunë dhe e ka goditur. E ka goditur edhe pa mendje kur ajo po flinte gjumë dhe e ka lënë pa frymë. Kisha frike ta denoncoja. Mund të na vriste ai ose njerëz te fisit të tij. Babai na ka thënë “Do ju vras”. Nësë rrini “do ju vras”. Edhe nëse ikni, “do ju vras”.Nuk kemi pasur ku të shkojmë. Të enjten na tha “Do ju vras” pasi e refuzova për herë të dytë fejesën. Të shtunën babi erdhi nga puna. Hëngri dreke dhe u shtri. Unë mora armën nga një komodinë ku e mbante të fshehur. Ia tregova, por ai nuk u befasua. I thashë çohu në këmbë. Më tha ik andej. E qëllova! E kisha vendosur, isha dy metra larg, në dhomë të ndenjes. Arma ishte në sirtar në dhomën e gjumit. Jam penduar, por s’ka kthim”, tha ajo.
Në fakt, rrëfimi i Hygertës ka përmbysur versionin që kishte ngritur prokuroria dhe policia e Durrësit për ngjarjen. Dy ditë më parë, të kapur nën ethet e publicitetit, shefat e policisë së Durrësit dolën në media dhe thanë se kishin zbardhur ngjarjen dhe se vrasësi kishte qenë vëllai i madh, Hysen Meta, ndërsa dy fëmijët e tjerë Hygerta dhe Amarildo kishin ndihmuar në fshehjen dhe groposjen e kufomës.
Ky version i prokurorisë u rrëzua që në nisje të seancës gjyqësore, kur i pari u çua për të folur djali i madh i familjen Hysen Meta.
“Nuk e kam bere unë. Të flasë ai që e ka bërë. Kam qenë prezent dhe kam parë që motra e vogël ka qëlluar babain. Donte ta drejtonte me zor babai. Nuk kam pasur marrëdhënie të mira. Kam qene i hutuar. Na ka ardhur keq për këtë që i ndodhi babait”, tha ai para togave të zeza në sallën e gjyqit.
Rrëfimi i fëmijëve bie në kundërshtim me hetimet e prokurorisë që tashmë duhet t’i marrë edhe një herë në pyetje të tre. Sipas prokurorisë, Hysen Meta akuzohet për vrasje në rrethana familjare, Hygerta Meta për fshehje dhe asgjësim të kufomës, ndërsa Amarildo për asgjësim të kufomës në bashkëpunim.
Vrasja e Pëllumb Metës mendohet se ka ndodhur në datën 10 Shkurt për shkak të presioneve që ai ushtronte mbi të bijën për një fejesë me një emigrant në Itali. Në fakt, 19-vjeçarja kishte plane të tjera për jetën. Ajo ishte një studente e rregullt e Fakultetin Ekonomik dhe kishte shpresuar të transferohej për të nisur jetën e saj në Tiranë.