AktualitetTë fundit

“S’po durohej”, djali i Pëllumb Metës rrëfen skenarin e vrasjes së të atit që sot çohet në banesën e fundit

Hysen Meta ishte ai që qëlloi 4 herë me armë babain e tij, Pëllumbin në bashkëpunim me motrën Hygertën, ndonëse kjo e fundit mori përsipër krimin e vetme. Sot i riu ka dëshmuar në polici me detaje skenarin e krimit të rëndë, duke pretenduar se 50-vjeçari ishte bërë i padurueshëm në familje.

Ai ka treguar momentin kur e ka qëlluar babanë gjatë kohës që ai ka qenë duke pushuar në divan, dhe më pas fshehjen e gjurmëve në bashkëpunim me motrën dhe vëllanë.

“Planin për vrasjen e babait e bëmë së bashku me motrën sepse ai ishte bërë i padurueshëm në familje. Për gjithçka në familje duhej të vendoste ai dhe të bëhej si thoshte ai. Ishte e pamundur që ta kundërshtoje. E fundit ishte vendimi për të fejuar motrën me një person që nuk e kishim idenë se kush ishte në kundërshtim me dëshirën e saj. Në këto kushte vendosëm ta vrisnim e të zhduknim gjurmët. Vendosëm ta vrisnim me pistoletën e tij. Kështu që në mëngjes bëmë planin për ta vrarë.

Pasdite babai ishte shtrirë në divan dhe po pushonte. Në dhomë me mua ishte edhe motra. I thashë babait çohu. Ai u çua në këmbë dhe pastaj unë e qëllova 4 herë me pistoletë. Më pas u morëm me zhdukjen e gjurmëve. E zhveshëm dhe e mbështollëm me plasmas. E transportuam te kasollja dhe aty e varrosëm.

Më vonë larguam dhe makinën. Shkuam me dy makina në sektorin Rinia. Unë me makinën e babait kurse vëllai me një makinë tjetër që ja morëm një shokut tonë të cilit i thamë se na duhej për nja një orë makina e tij. E lamë makinën e babait atje dhe u kthyem me makinën e shokut që e ngiste vëllai im. Pastaj me datën 13 unë u paraqita në polici dhe denoncova largimin e babait nga shtëpia”, rrëfeu ai.

 

Fraksion.com