E martë, 3 Dhjetor, 2024
Latest:
AktualitetTë fundit

Vrau babin dhe e groposi në oborr, si u zbulua ngjarja e tmerrshme në Durrës

Durrës, vihet në pranga shtetasia Hygerta Meta, e cila vrau të atin e saj shtetasin Pellumb Meta

Zbulohet krim i tmerrshëm në Durrës, ku vajza vret babanë dhe fsheh trupin duke e varrosur, pasi ai donte ta fejonte me zor.

Krimi i shëmtuar është zbuluar ditën e sotme, por para 10 ditësh, djali i të ndjerit kishte denoncuar në polici se burri 50 vjeçar Pëllumb Meta ishte zhdukur. Djali nuk e dinte se e motra e kishte vrarë dhe varrosur të atin.

Pas veprimeve të shpejta profesionale, policia gjeti trupin e pajetë të 50-vjeçarit, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri dhe është varrosur brenda rrethimit të banesës, nga vajza e tij.

Policia ka arrestuar 19-vjeçaren, e dyshuar si autore e vrasjes së babait të saj, Hygerta Meta.

Gjithçka nisi më datë 13 shkurt 2024, rreth orës 22:30, kur shtetasi H. Meta, 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi Pëllumb Meta, 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të.

Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit Pëllumb Meta të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.

Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së shtetasit Pëllumb Meta. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja Hygerta Meta, 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Hygerta ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Trupi i shtetasit Pëllumb Meta është zhvarrosur dhe është transortuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com