AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Nis sot magjia festive e Karnavaleve të Shkodrës

Kostumet shumëngjyrëshe, maskat si dhe atmosfera festive po mbizotërojnë sot në qytetin e Shkodrës për festën e karnavaleve.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga kjo festë, që ka mbledhur nxënës, të rinj dhe qytetarë të moshave të ndryshme.

“Magjia festive e Karnavaleve të Shkodrës nis sot për të vijuar deri të dielën, ku qindra qytetarë nga e gjithë Shqipëria pritet t’i bashkohen festës”, tha Rama.

Karnavalet nisën me paradën e fëmijëve dhe performancën artistike nga shkollat dhe xhonglerët. Gjatë ditës së sotme do të zhvillojnë edhe punëtori për krijimin e maskave-facepainting, klounata, në mbrëmje festa do të vijojë me spektaklin e dritave, ndërsa pas mesnate, grupe shëtitëse artistësh me veshje e maska veneciane do të jenë në baret e restorantet e qytetit.

E njohur për karnavalet e famshme, Shkodra e ka shndërruar këtë traditë në një nga festat më të bukura të qytetit.

Për tri ditë me radhë, nga 23-25 shkurt rrugët e Shkodrës do të gjallërohen nga festa e karnavaleve. Prej disa ditësh fëmijë, të rinj e të rritur, nxënës e mësues, artistë, instrumentistë e akrobatë, artizanë e bejtexhinj, punonjës të hotelerisë e kulinarisë, fotografë e dizenjues, u përfshinë në atmosferën e karnavaleve, që nisin sot dhe përfundojnë të dielën, më 25 shkurt.

Të premten e të shtunën ata do të garojnë me krijimtarinë dhe imagjinatën e tyre. Ndërsa një juri profesioniste do të vlerësojë me çmime më të mirët.

 

Fraksion.com