Osmani: Përplasjet me aleatët perëndimorë rreth dinarit ishin të shmangshme – çështja mund të zgjidhet brenda Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje të premten institucioneve që të trajtojnë me kujdes marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, mes shqetësimeve në rritje për dëmtimin e këtyre marrëdhënieve për shkak të mospajtimeve për çështje siç është dinari serb.
“Unë inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, secilin që merret me politikë që të bëjë çmos që këto relacione dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e Bashkimit Evropian që gjithnjë na kanë qëndruar pranë t’i konsiderojmë jo vetëm si të rëndësishme por si ekzistenciale për suksesin e shtetit tonë sepse historia jonë e ka dëshmuar këtë”, tha ajo.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
Bashkimi Evropian tha të premten se dëshiron t’u ndihmojë Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit dhe për këtë arsye ka ftuar palët për një takim javën që vjen. Nuk është e qartë se në çfarë niveli do të zhvillohet takimi, meqë kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se nuk do të marrë pjesë dhe se kjo çështje nuk ka qenë asnjëherë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. Zoti Bislimi dhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano shkëmbyen kritika në distancë për këtë çështje.
Presidentja Osmani tha se kjo çështje nuk është dashur të shndërrohet në shkak për përplasje me aleatët perëndimorë.
“Unë jam e bindur se në qoftë se ka vullnet me një takim i cili mund të zgjasë disa orë mund të ulen të gjitha institucionet relevante, ato që do ta zbatojnë në praktikë këtë rregullore, dhe të dalin me hapa konkret duke u bazuar në ligjet që ekzistojnë në Kosovë dhe ta marrin edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj”, tha ajo.
Edhe partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë e Kosovës se me zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore po rrezikon marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, në kohën kur Kosova është ende nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Presidentja Osmani përsëriti sot thirrjen për heqjen e këtyre masave, duke nënvizuar se kjo është e domosdoshme për të ecur përpara me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Fraksion. com