AktualitetBota+Të fundit

Mb 500 individë dhe subjekte në sanksionet e reja të SHBA-së ndaj Rusisë

Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten vendosjen e sanksioneve të reja gjithëpërfshirëse kundër Rusisë, në prag të përvjetorit të dytë të sulmit të Moskës kundër Kievit. Masat e reja, që vijnë në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të rritur trysninë ndaj Kremlinit, vënë në shënjestër mbi 500 individë dhe subjekte.

Masat synojnë të godasin sistemin kombëtar rus të pagesave me kartela të njohur si ‘Mir’, institucionet financiare ruse, bazën e saj industriale ushtarake, individët dhe kompanitë që kanë shmangur sanksionet amerikane kundër Rusisë, sektorin e energjisë dhe fusha të tjera.

Sanksionet përfshijnë edhe zyrtarë që kanë luajtur rol në burgosjen dhe vdekjen e udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili vdiq javën që shkoi në një burg në Arktik.

Departamenti amerikan i Shtetit vuri sanksione ndaj tre zyrtarëve të Shërbimit Federal të Burgjeve në Rusi të cilët i akuzoi se kanë lidhje me vdekjen e opozitarit Navanly, duke përfshirë zëvendësdrejtorin e këtij institucioni, i cili thuhet se udhëzoi stafin e burgut të ushtronte trajtim të ashpër ndaj kritikut të Kremlinit.

Vendimi synon të mbajë Rusinë përgjegjëse për luftën në Ukrainë dhe vdekjen në burg të kritikut të njohur të Kremlinit, tha Presidenti Joe Biden në një deklaratë. Ai shtoi se Uashingtoni duhet të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, e cila po përballet me mungesa të mëdha municionesh, ndërsa ndihma ushtarake amerikane është bllokuar prej muajsh në Kongres.

“Sanksionet synojnë që Putini të pagujë një çmim edhe më të lartë për agresionin e tij jashtë vendit dhe shtypjen brenda vendit”, tha Presidenti Biden.

Departamenti amerikan i Thesari vuri në shënjestër rreth 300 individë dhe subjekte, Departamenti amerikan i Shtetit goditi mbi 250, ndërsa Departamenti i Tregtisë shtoi mbi 90 kompani në listën e kompanive të sanksionuara.

Vendimi zgjeron listën e sanksioneve nga viti i kaluar, kur Shtetet e Bashkaura vendosën masa ndaj mbi 200 individëve dhe subjekteve, ndërsa Departamenti i Tregtisë vuri në shënjestër 90 kompani në përvjetorin e parë të luftës.

Sanksione e së premtes nga Shtetet e Bashkuara vijnë në koordinim me ato të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Britanisë. Këto janë të fundit nga mijëra masat e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aletët e tyre, pas sulmit rus kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022, lufta që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka shkatërruar qytete.

Ekonomia ruse, e përqëndruar në eksporte, është treguar më e qëndrueshme ndaj sanksioneve të pashembullta sesa ishte ishte parashikuar.

Administrata e Presidentit Biden ka shteruar paratë e miratuara më parë për Ukrainën dhe një kërkesë për fonde shtesë është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.

“Është jetike që Kongresi të lëvizë dhe të bashkohet me aleatët tanë në mbarë botën, për t’i dhënë Ukrainës mjetet për të mbrojtur veten dhe lirinë e saj kundër sulmit barbar të Putinit”, tha Sekretarja e Thesarit Janet Yellen./voa

 

Ftaksion.com