Ku ndodhet pistoleta? Detajet që i bëjnë hetuesit të besojnë se 19-vjeçarja nuk veproi e vetme
Vazhdojnë të zbardhen detaje të reja për ngjarjen e rëndë të zbuluar mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Shënavlash në Durrës, aty ku u zbulua i vrarë e groposur Pëllumb Meta
Krimi që u zbulua pas dëshmisë së vajzës së tij 19-vjeçare, Hygerta Meta, ka ende shumë mistere dhe detaje që nuk përputhen me një autor të vetëm.
Hygerta pretendon se ishte vetëm në shtëpi kur e vrau të atin me pistoletë, në trupin e të cilit paraprakisht raportohet të jenë gjetur 4 plagë. Vrasja sipas 19-vjeçares ndodhi në katin e 2 të shtëpisë. Më pas ajo e mori trupin e pajetë të të atit, e mbështolli me qese dhe e tërhoqi deri në oborr. E çoi po e vetme drejt kasolles, dhe aty hapi një gropë të thellë, 1 metër e gjysmë. Makinën e viktimës e transportoi drejt plazhit, ku u gjet e parkuar.
Sa i përket armës së krimit, e reja raportohet të ketë dhënë disa versione; një herë ka thënë se e ka hedhur në det, e një herë tjetër se e ka groposur.
Të gjithë këto detaje, së bashku me misterin që shoqëron vendndodhjen e armës së krimit, sipas gazetarëve në terren bëjnë që hetuesit të dyshojnë se 19-vjeçarja nuk e ka kryer e vetme këtë krim të rëndë. Dyshimet kryesore janë se është ndihmuar nga nëna dhe vëllai i saj i madh, që vijojnë të merren në pyetje në polici.
Por si u gjet trupi i Pëllumb Metës?
“Fillimisht është bërë i mundur lokacioni i telefonit të tij që tregonte që hera e fundit telefoni kishte qenë aktiv në banesën e tij. Më pas janë shoqëruar familjarët, në këtë rast vajza, dy djemtë dhe bashkëshortja dhe pas ushtrimit të presionit të pyetjeve nga ana e hetuesve të çështjes, në një moment vajza është dorëzuar dhe ka treguar vendndodhjen e trupit të pajetë duke i dërguar efektivët në vendin ku e kishte groposur.”
Një tjetër pikëpyetje mbi këtë ngjarje është koha kur ka ndodhur krimi dhe ku ndodheshin pjesëtarët e tjerë të familjes. Hygerta pretetendon se ajo ishte vetëm me të atin gjatë kohës kur e vrau dhe e groposi.
“Djali i madh i familjes më datë 13, në orët e vona të mbrëmjes, ka deklaruar para uniformave blu që kanë humbur kontaktin me të atin para 3 ditësh. Vajza ka deklaruar që ngjarja ka ndodhur në momentin që askush nuk ka qenë në banesë. E ëma ishte shtëpiake dhe në momentin që krimi është kryer ajo ka qenë duke punuar tek arat që ishin fare pranë banesës dhe nuk ka pasur dijeni mbi atë që po zhvillohej në banesë. Ndërkohë që vëllai i madh punonte në një servis dhe sipas vajzën në momentin që ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë në shtëpi, ashtu si vëllai i vogël. Të gjithë pjesëtarët e familjes mbeten në të njëjtin version sa i takon deklaratave të tyre.”
Në dëshminë fillestare, 19-vjeçarja mësohet se ka qenë në një gjendje të rënduar, por më pas u ka thënë hetuesve që nuk pendohet aspak për krimin, pasi i ati kishte qenë një njeri i dhunshëm, një person autoritar në familjen e tyre dhe çdo gjë duhej të bëhej sipas vendimeve që ai merrte. 19-vjeçarja ka deklaruar po ashtu se në momentin kur i ati i ka thënë se do ta fejonte pa dëshirën e saj, “u mbusha me urrejtje kundrejt babait”, gjë që e çoi drejt vrasjes së tij.
Deri më tani, dyshimet janë se Pëllumb Meta është vrarë ditën kur u denoncuar i zhdukur, më 13 Shkurt dhe trupi është groposur gjatë orëve të natën. Ai raportohet se është parë të kthehej nga puna në shtëpi, por jo të dilte prej saj.
Fraksion.com