AktualitetNATO/BETë fundit

Hungaria bllokon deklaratën e BE-së për luftën në Ukrainë

BE-ja tani po punon në deklaratën që do të lëshohet në emër të tre presidentëve të institucioneve kryesore: Ursula von der Leyen e Komisionit Evropian, Roberta Metsola e Parlamentit Evropian dhe Charles Michel i Këshillit Evropian.

Për të lëshuar një deklaratë në emër të BE-së, të gjithë 27 shtetet anëtare duhet të pajtohen. Budapesti po e kundërshton deklaratën pa dhënë ndonjë shpjegim konkret, thanë zyrtarët e BE-së për REL-in, por një diplomat tha se formulimi i deklaratës “thjesht, ishte shumë i fortë për ta [Hungarinë]”.

Hungaria në vitet e fundit ka refuzuar disa deklarata të BE-së. Rasti i fundit ishte më herët gjatë kësaj jave kur Budapesti tentoi të bllokonte dakordimin e 26 shteteve të tjera anëtare kundër një operacioni të paralajmëruar ushtarak të Izraelit kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja – në jug të Gazës. Më herët, Hungaria po ashtu kishte vendosur veto mbi një deklaratë që kritikonte Kinën, Rusinë dhe Azerbajxhanin lidhur me luftën e këtij të fundit kundër Armenisë.

Pavarësisht luftës në Ukrainë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ka deklaruar se është krenar që komunikon me Moskën, ndonëse diçka e tillë i zemëron liderët e Bashkimit Evropian.

Më 24 shkurt bëhen dy vjet që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës. Lufta ka marrë jetën e dhjetëra mijëra persona, ka zhvendosur miliona të tjerë dhe ka shkaktuar shkatërrim të madh në infrastrukturën e Ukrainës.

Më herët gjatë javës, BE-ja njoftoi se është pajtuar për një paketë të re të sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë.

 

Fraksion.com