AktualitetBota+Të fundit

Nëna e Navalnyt thotë se i është lejuar ta shohë trupin e të birit

Lyudmila Navalnaya, nëna e liderit të ndjerë opozitar rus, Aleksei Navalny, tha më 22 shkurt se një ditë më herët, hetuesit e lejuan që ta shohë trupin e të birit.

Trupi i Navalnyt gjendet në qytetin Salehard të Arktikut.

Përmes një video-deklarate, Navalnaya tha se ajo ka nënshkruar certifikatën e vdekjes, por autoritetet ruse po vazhdojnë të mbajnë trupin e djalit të saj.

“Mbrëmë, në mënyrë sekrete më dërguan në morg, ku më treguan Aleksein. Hetuesit pretendojnë se e dinë shkakun e vdekjes, të gjitha dokumentet mjekësore dhe ligjore që unë pash janë të gatshme dhe unë nënshkrova certifikatën e vdekjes”, tha ajo.

Navalnaya shtoi se autoritetet ruse po vazhdojnë të mbajnë trupin e djalit të saj në mënyrë të jashtëligjshme. Sipas saj, autoritetet duan që varrimi i djalit të saj të jetë “sekret, pa një ceremoni lamtumirëse”.

“Ata po më shantazhojnë, duke vendosur kushte se ku, kur dhe si duhet Aleksei të varroset”, tha Navalnaya.

“Kërkoj që të më dorëzohet trupi i djalit tim”, shtoi ajo.

Ndërkaq, zëdhënësja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, tha se në raportim mjekësor që iu tregua nënës së tij, thuhej se kritiku i Kremlinit kishte vdekur nga shkaqe natyrore.

Navalny vdiq më 16 shkurt në një burg në Arktik. Një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë deklaroi se e Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen.

Një autoambulancë shkoi në tentim për t’i ofruar ndihmë mjekësore, por ai vdiq, u tha në deklaratë.

Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, ishte mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.

Në gusht, Navalny ishte shpallur fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e kishte mohuar gjithmonë, dhe ai ishte dënuar me 19 vjet burgim shtesë.

Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës.

Fraksion.com