Ndërtimet në zonat e mbrojtura, deputetja Çupi: Presidenti, opozita, Gjykata Kushtetuese, duhet ndalur ky akt skandaloz dhe korruptiv
Pas miratimit në Parlament të ligjit që i hap rrugë ndërtimit të resorteve në zona të mbrojtura, deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, shkruan se shoqëria civile, qytetarët, opozita, Presidenti, Gjykata Kushtetuese, duhet të bëjmë gjithçka për ta ndaluar këtë akt skandaloz.
Sipas saj, deputetët socialistë votuan kokëulur të masakër natyrore dhe një akt të hapur korruptiv.
Ndërsa nisma u propozua fillimisht nga disa kryebashkiakë socialistë me pretendimin e zhvillimit të zonave të tyre, deputetja Çupi thotë se kryeministri Rama ua hoqi këtë të drejtë pasi për çdo rast do të vendosë ai.
Reagimi i plotë:
Përse të mos ketë një oligark a një trafikant droge një vilë luksoze, ku të zgjohet duke parë flamingot në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë? Edhe ata shpirt kanë! Ndonjëherë mund të qëllojnë edhe romantikë.
Po përse një oligark apo trafikant droge të mos ndërtojë në Parkun e Butrintit, ku të ketë mundësi të sodisë nga veranda luksoze me 5 yje amfiteatrin antik? Pasurimi i këtyre viteve mund t’u ketë rafinuar edhe shijet.
Edhe në Alpe mund të ndërtohet me para që nuk dihet nga vijnë. Duhet të ketë mes oligarkëve dhe njerëzve të krimit të organizuar nga ata me shije epike për natyrë të egër dhe të ashpër.
Ndoshta, dikush nga këta investitorët strategjikë mund të qëllojë edhe romantik dhe nuk jeton dot pa bukurinë mahnitëse dhe zambakët e ujit të liqeneve të Lurës!
E kështu me radhë! Në Lumin Vjosë, në Sazan Karaburun, në Prespë, në të gjithë Shqipërinë, në çdo zonë të mbrojtur, në çdo mrekulli natyrore që Zoti na e ka falur me shumicë, mund të ndërtohet me beton. Ky është ligji që miratoi sot Edi Rama.
Dhe më e bukura është se ligji, gjoja u nxit nga kërkesa e bashkive për të patur ata në posedim një pjesë të zonave të mbrojtura, për t’i shfrytëzuar dhe për të nxjerrë të ardhura. As këtë s’ua dha si përfundim Edi Rama. Gjithçka do ta vendosë ai. Kush do të ndërtojë në zonat me bukuri të rrallë natyrore dhe si do të ndërtojë.
Është për të ardhur keq që kolegët e PS noterizuan me kokë ulur këtë masaker natyrore dhe një akt të hapur korruptiv! Shoqëria civile, qytetarët, ne si opozitë, Presidenti, Gjykata Kushtetuese, kur të vihet dhe do të vihet në lëvizje, duhet të bëjmë gjithçka për ta ndaluar këtë akt skandaloz, që shkon kundër interesit publik!
Fraksion.com