AktualitetPolitikëTë fundit

“Turp që Basha thotë jam PD”, Alizoti: Berisha lider i padiskutueshëm

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, tha se vula e PD-së i është dhënë një grupimi që nuk ekziston. Alizoti shtoi se protesta e djeshme ishte tepër e madhe.

“Protesta ishte shumë e madhe, Tirana kishte dalë në shesh. Ta imagjinosh që ata njerëz kanë dalë në shesh dhe kjo PD nuk njihet. Gjithë këta njerëz në shesh nuk njihen. Lideri i PD është Berisha, është lider i padiskutueshëm. Vula i është dhënë një grupimi që nuk ekziston. Berisha është lideri i padiskutueshëm i opozitës. E kanë hetuar, sepse e dinë se është një njeri shumë i rëndësishëm i politikbërjes në Shqipëri. Nuk jam berishist, nuk e dua liderin e fortë, por fakti është që ai është lider. Është kaq i fortë politikisht, sa kur të gjithë mendojnë se ka përfunduar, ai ngrihet sërish. Lideri i ri do kohë që të lindë. Edhe CDU kishte Angela Merkelin dhe pas ikjes së saj, është krijuar një boshllëk i madh. Qytetarët kanë dalë në protestë, sepse kemi qeveri që kujdeset për makijazh. Jeta nuk është reklamë e jashtme, është ekonomi. Jeta në Shqipëri e në Tiranë është bërë e papërballueshme ekonomikisht”, tha Alizoti.

Tomor Alizoti theksoi se është një grup për Lulzim Bashën që thotë se është ai PD-ja. Sipas tij, njerëzit janë me Berishën dhe ndaj edhe gjykata, kur të japë vendimin për vulën, duhet të jetë më racionale.

“Në Shqipëri njerëzit mbijetojnë. Çmimet në vend janë të papërballueshme, janë sikur në vendet e zhvilluara. Opozitës i erdhën pas njerëzit, tashmë gjërat duhet të konkretizohen. Jemi në një vend anormal. Besoj se dhe nesër do vijojë ajo që ka qenë, pra protesta në parlament. Njerëzit po ikin jashtë për t’u ushqyer, kjo tregon se qeveria ka dështuar. Pushteti në Shqipëri është absolut. Unë zotin Basha nuk e shoh në asnjë anë. Është turp që Basha të thotë se unë jam PD. Pas asaj që u pa dje, Lulzim Basha nuk është Partia Demokratike. Basha është jashtë kohës dhe hapësirës. Unë pres që të ketë minimal drejtësi. Gjykata e sheh se kush është PD, kur ka mijëra njerëz në shesh. Gjykata po të jetë serioze, merr vendimin për t’u kthyer në realitet, duhet të kthehet në realitet. Si mund të dalësh me pesë veta dhe të thuash jemi PD. Votuesit janë tek Berisha. Sali Berisha ka aksionet të përcaktojë se kush do të ishte kandidati i denjë për të qenë kryeministër. Po të na marrë edhe ne mendim, nuk do bëjë keq”, u shpreh Alizoti.

Fraksion.com