Në Bibliotekën Kombëtare, dija humbet mes arkave me banane
Institucioni më i rëndësishëm i librave, Biblioteka Kombëtare duket se ka përfunduar në një gjendje të mjerueshme. Edhe pas incidenteve me zjarrin e më pas me përmbytjen, të ndodhura vite më parë BKSH vijon të mbetet në të njëjtat kushte.
Arkat me banane që janë mbushur me libra, arkiva dhe histori…kjo është pamja tragjike e Bibliotekës Kombëtare, institucionit kryesor të dijes në vendin tonë, shndërruar në magazinë arkash që shfrytëzohen nga abuzimet disa vjeçare të qeverive që ikin e vijnë.
E pozicionuar në qendër të kryeqytetit, Biblioteka Kombëtare Shqiptare jua mohon hyrjen në dhomat e studimit pa qenë i anëtarësuar. Ata që duan të hapin arkivat e librave në arka bananesh duhet të aplikojnë fillimisht në portalin e-Albania.
Sipas një raporti të publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Biblioteka Kombëtare prej vitesh nuk ka bërë asnjë investim me libra albanogjikë, duke lënë mangësi të mëdha në pasurimin e trashëgimisë kulturore.