Dita e fundit e raundit vendimtar për Julian Assange
Për Julian Assange seanca dyditore është mundësia e fundit para gjykatave britanike për të penguar ekstradimin në SHBA . Ai shpreson në një proces juridik të plotë. Nëse Assange dështon në këtë proces, merr fund rruga ligjore në Britaninë e Madhe. Atëherë mbetet për të mundësia e daljes para Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Por bashkëshortja, Stella Assange trembet, se ai brenda pak ditësh mund të dërgohet në SHBA. Ajo paralajmëron, se Assange mund të kryejë vetëvrasje.
Avokatët e Assange: Hakmarrje e Uashingtonit
Australiani, Julian Assange kërcënohet nga 175 vite burg. Qeveria amerikane kërkon t’i bëjë atij procesin gjyqësor në SHBA. Uashingtoni e akuzon Assange, se së bashku me investiguesen tjetër, Chelsea Manning vodhën dokumente sekrete nga misionet ushtarake amerikane në Irak dhe Afganistan, i publikuan ato duke rrezikuar jetën e informantëve amerikanë. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mathew Miller nuk u shpreh të martën për rastin Assange drejtpërdrejt. I pyetur nga një reporter, nëse Assange është gazetar, ai tha, se “nuk është punë legjitime gazetareske” që të “hakerosh diku për të vjedhur informacione shtetërore”, ose të ndihmosh për këtë. E mbështesim punën e shtypit të lirë kudo në botë, tha Miller.
Nga ana e tyre, avokatët e Assange shohin në përndjekjen e themeluesit të Wikileaks një veprim hakmarrës të Uashingtonit, sepse Wikileaks bëri publikime për krime lufte. Për lirimin e Julian Assange angazhohen organizata për lirinë e shtypit e të drejtat e njeriut në të gjithë botën./DW
Fraksion.com