AktualitetPolitikëTë fundit

Balla dhe drejtori i TikTok takim me nxënësit: Nuk do të tolerohet asnjë formë dhune, abuzuesit para ligjit

Paketa e Sigurisë në shkolla po fokusohet edhe tek vigjilenca kundër dhunës, dezinformimit, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla së bashku me Jakub Olek, drejtor i TikTok për Politikat Publike dhe Marrëdhëniet me Qeverinë zhvilluan një seancë pyetje-përgjigje me nxënës të shkollave të mesme të Tiranës.

Në fjalën e tij ministri Balla tha se çdo qytetar përdorues të ndiqet me prioritet dhe abuzuesve t’u bëhet e qartë se tani është shumë të thjeshtë për t’i gjetur dhe për t’i vendosur me përgjegjësi përpara ligjit.

“Në platformë nuk duam asnjë lloj forme dhune, gjuhë urrejtjeje, bullizimi ose dhunë ndaj grave. Kjo është diçka që nuk ka vend në platformën tonë dhe është hequr nga platforma kur ka përmbajtje të tilla, ose edhe kur përdoruesit krijojnë përmbajtje të tilla, ata do të hiqen nga platforma tërësisht. Ngjarjet e fundit në Shqipëri që kanë qenë shumë të trishtueshme, sigurisht ne i kemi parë me shumë kujdes dhe kemi diskutuar në ekip sesi mund të përmirësojmë platformën”, u shpreh përfaqësuesi i lartë i Kompanisë.

Ai tha se numri i përdoruesve të rrjetit po rritet në mënyrë të shpejtë, por Olek pohoi se TikTok nga ana tjetër ka mbi 40 mijë punonjës të angazhuar për sigurinë e platformës.

Më tej, Balla u shpreh se jemi në kohën e duhur për të rritur vigjilencën sa i përket një sërë fenomenesh që ndodhin çdo ditë, që kanë të bëjnë me dhunën online, me shantazhin brenda apo jashtë shkollës.

“E kam shprehur shqetësimin se si në këtë rrjet ka një gjuhë të pakontrolluar, mesazhet e një gjuhe tërësisht të pahijshme duke shkuar pastaj edhe në promovimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, sikurse mund të jetë edhe përdorimi i lëndëve narkotike. Janë një shqetësim për ne, janë një shqetësim për mua si Ministër i Brendshëm, por më shumë se kaq, janë një shqetësim për mua edhe si një baba i një djali 14-vjeçar, dhe se përgjegjësia ime është njëlloj për të gjithë ju dhe për të gjithë moshatarët tuaj”, nënvizoi ministri i Brendshëm.

Përfaqësuesi i TikTok shtoi se në platformë nuk tolerohet asnjë lloj forme dhune, gjuhë urrejtjeje apo bullizimi.

Nisur nga ngjarjet e fundit në Shqipëri, të cilat i cilësoi si shumë të trishtueshme, Olek deklaroi se janë duke diskutuar për të përmirësuar platformën.

 

Fraksion.com