“84 vota për Amnistinë Penale”, Basha: Nuk marrim pjesë nesër në seancë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “PD nuk do të marrë pjesë nesër në seancë plenare, pasi nuk mund të pranojë amnistinë e të dënuarve për korrupsion”.
Në një deklaratë për medie, Basha u shpreh se “qeveria ka propozuar të amnistojë zyrtarët e korruptuar, të dënuar apo nën hetim nga SPAK dhe GJKKO”.
“Ditën e djeshme janë përvijuar hijet e një skandali të përmasave kombëtare, dhe për investimin e partnerëve edhe ndërkombëtare. Qeveria e Edi Ramës ka propozuar të amnistojë zyrtarët e korruptuar, të dënuar apo nën hetim nga SPAK dhe GJKKO”, tha Basha.
Sipas tij, “është skandaloze të përdorësh amnistinë penale, e cila kryhet për arsye humanitare ndaj një kategorie të dënuarish për vepra të thjeshta, që të nxjerrësh nga burgu apo anullosh hetimet për zyrtarët e korruptuar të Edi Ramës”.
“Kjo nuk është asgjë më pak sesa një ndërhyrje tek gjyqësori dhe tek Reforma në Drejtësi”, u shpreh Basha.
Basha u shpreh se “ndërkohë që vendoset theksi te fundi i pandëshkueshmërisë, mesazhi që jep Rama dhe qeveria është që ata që i dënon gjykata i liron qeveria me votat në parlament”.
“Nuk është kjo ndërhyrja e parë e Edi Ramës në Refomën në Drejtësi. Ka muaj që ka paralajmëruar komisione kundër SPAK-ut dhe vetëm pak ditë më parë është ankuar se Byroja Kombëtare e Hetimeve po shqetëson ministrat dhe zyrtarët e tij me hetimet që po bën”, u shpreh Basha.
Fraksion.com