AktualitetBota+Të fundit

Presidenti i Bjellorusisë Lukashenko pret në Minsk udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Dodik

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, i tha udhëheqësit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, se ai “kishte ardhur për të parë miqtë tuaj”.

“Ju e dini se çfarë lloj marrëdhëniesh kemi me Bosnje dhe Hercegovinën”, i tha presidenti Lukashenko Milorad Dodikut, në takimin e së hënës në Minsk.

“Ne e dimë që ndonjëherë e keni të vështirë atje, por ju po luftoni me guxim. Ne e mirëpresim këtë”, tha ai.

Lukashenko e përgëzoi më tej Dodikun se “po mbahet fuqishëm duke përfaqësuar interesat e ortodoksëve atje, të njerëzve që ju besojnë. Ne jemi në anën tuaj”, tha ai.

Milorad Dodik, aktualisht president i Republikës Serbe, prej vitesh ka mbrojtur idenë e ndarjes së minishtetit serb të Bosnjës nga pjesa tjetër e vendit dhe bashkimin e tij me Serbinë.

Ai ka mbajtur lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin pavarësisht fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke e vlerësuar atë për mbrojtjen e interesave të “vëllezërve të tij ortodoksë” në Bosnje.

Lufta e Bosnjës filloi në vitin 1992 kur serbët e mbështetur nga Beogradi u përpoqën të krijonin një rajon “etnikisht të pastër” me synimin për t’u bashkuar me Serbinë fqinje, duke vrarë dhe dëbuar kroatët dhe boshnjakët, të cilët janë kryesisht myslimanë.

Më shumë se 100,000 njerëz u vranë dhe më shumë se dy milionë, ose mbi gjysma e popullsisë së vendit, u dëbuan nga shtëpitë e tyre, para se të arrihej një marrëveshje paqeje në Dejton të Ohios, në fund të vitit 1995.

 

Fraksion.com