AktualitetTë fundit

“Thellimi i bashkëpunimit”, ambasadori gjerman në Gjykatën Kushtetuese: Me rëndësi zbatimi i vendimeve, ruajtja e pavarësisë dhe integritetit

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, është takuar këtë të hënë me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, ku u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit me Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se gjatë takimit, kryetarja Zaçaj bëri një përmbledhje të shkurtër të veprimtarisë të Gjykatës Kushtetuese përgjatë vitit 2023. Ndërkohë, sipas njoftimit, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë vuri theksin mbi rëndësinë që ka institucioni i Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm në sistemin e drejtësisë por edhe në jetën politike të vendit, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit te vendimeve që ajo jep, të ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit.

Sipas njoftimit, gjatë takimit Zaçaj shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme të dhënë nga shteti gjerman, duke evidentuar bashkëpunimin e shkëlqyer të Gjykatës Kushtetuese me disa fondacione gjermane që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri.

“Kryetarja evidentoi edhe bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane, i cili është konkretizuar së fundmi me një vizitë të trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë pranë kësaj gjykate. në janar të këtij viti”, bëhet me dije në njoftim.

“Ambasadori Bergner rikonfirmoi mbështetjen e zyrës së tij për Gjykatën Kushtetuese në lidhje me programe të ndryshme për shtetin e së drejtës, të parashikuara nga shteti gjerman për Shqipërinë”, përfundon njoftimi.

 

Fraksion.com