Mblidhet grupi i PS-së, Çuçi: Marrëveshja Rama-Meloni dhe Amnistia Penale të enjten për votim në Kuvend
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh sot për të diskutuar axhendën e javës së re në Kuvend.
Në fjalën drejtuar deputetëve të mazhorancës, kryetari i grupit parlamentar Bledi Çuçi tha se në seancën e ditës së enjtes do të kalojnë për votim dy marrëveshje dhe dy projektligje.
“Së pari është marrëveshja në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore dhe së dyti protokolli me Italinë për emigrantët”, bëri të ditur ai.
Çuçi tha se pritet zbardhja e plotë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese këto ditë të para të javës, që i hap më pas rrugë për çuarjen në seancë.
Dy projektligje të rëndësishme janë gjithashtu amnistia penale dhe ai për zonat e mbrojtura të cilat, sipas Çuçit, pritet të miratohen në seancën e kësaj jave.
“Projektligjin për amnistinë penale, komisioni për Çështjet Ligjore parashikon ta kalojë të martën. Do të rakordojmë dhe me opozitën për të bërë 84 votat e nevojshne për miratim”, deklaroi Çuçi.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së kërkoi gjithashtu prezencë të deputetëve në seancë në mënyrë që projektligjet dhe marrëveshjet e parashikuara në rendin e ditës të miratohet.
Fraksion.com