Konferenca e Munihut: Shumë retorikë, pak veprime dhe disa lajme të këqija në mes
Nëse Konferenca e Sigurisë e Munihut ka pasur vitin e kaluar doza optimizmi, me idenë që Ukraina, jo vetëm se mund t’i rezistojë luftës në Ukrainë, por edhe ta largojë atë prej kufijve të vet – me shpresën se kundërofensiva e verës së vitit 2023 do të shënonte sukses – organizimi i këtij viti në kryeqytetin e Bavarisë ka marrë kthesë tjetër.
Duke u zhvilluar në fundjavën e 16-18 shkurtit, konferenca, e cila konsiderohet si platformë e liderëve botërorë për të diskutuar politika të sigurisë, supozohej të gëzonte madhështinë e edicionit të 60-të.
Megjithatë, lajmet e këqija nuk kanë pasur fund.
I gjithë diskutimi para nisjes së konferencës është dominuar prej ish-presidentit Donald Trump, i cili synon të fitojë nominimin e republikanëve për një mandat tjetër presidencial.
Së fundi, ai e ka vënë në pikëpyetje vendimin për t’i mbrojtur vendet aleate të NATO-s, të cilat nuk shpenzojnë mjaftueshëm në mbrojtje, prej një pushtimi potencial rus.
Kjo temë, bashkë me pamundësinë e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara për të miratuar një ndihmë në vlerë të 60 miliardë dollarëve për Ukrainën, i ka bërë pjesëmarrësit të mendojnë nëse Uashingtoni është ende i përkushtuar për Ukrainën dhe marrëdhëniet transatlantike në përgjithësi.
Por, ky ka qenë vetëm fillimi.
Përgjatë asaj fundjave, Ukraina ka marrë vendim për tërheqje strategjike të trupave prej Avdivkas, qytetit që e ka mbrojtur prej sulmeve ruse për disa muaj.
Për më shumë, në ditën e parë të konferencës, është bërë i ditur lajmi që politikani i burgosur opozitar, Aleksei Navalny ka vdekur në një burg në Arktik.
Gruaja e kundërshtarit të Kremlinit, Yulia Navalnaya, ka qenë prezente në Munih.
Vetëm disa orë pasi është bërë i ditur lajmi, ajo ka dalë në skenë dhe e ka fajësuar presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e burrit të saj.
“Putin, dhe secili rreth tij, miqtë dhe qeveria, duhet ta dinë që do të mbahen përgjegjës për atë që i kanë bërë shtetit tonë, familjes sime dhe burrit tim”, ka thënë ajo, duke shtuar se “ajo ditë do të vijë shpejt”.
Prej atij momenti, është dukur që pjesa më e madhe e diskutimeve është bërë për dy burra që nuk kanë qenë prezentë: Putinin dhe Trumpin.
Prandaj, ka qenë puna e secilit pjesëmarrës të konferencës që t’i mbledhë forcat, përfshirë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili duket se e ka pasur referencë Kongresin amerikan kur ka thënë se “diktatorët nuk shkojnë në pushim”.
Duke folur për ata që dëshirojnë të shohin Kievin duke diskutuar me Moskën, ai ka thënë se “nuk duhet pyetur Ukrainën se kur do të përfundojë lufta, duhet ta pyesni veten pse po mundet të vazhdojë Putini”.
Më vonë, ai ka përmendur një mori hapash që do të mund t’i ndihmonin Ukrainës – një pjesë e mirë që nuk mund të realizohen shpejt.
Shembull, sanksionet e Perëndimit në industrinë bërthamore të Rusisë.
Ndonëse BE-ja pritet të vendosë më shumë sanksione ndaj Kremlinit në ditët në vijim, ato pritet të jenë më shumë simbolike, pasi që nuk do të godasin sektorët ekonomikë rusë.
Tjetër shembull është konfiskimi i aseteve të ngrira ruse në Perëndim.
Ndonëse është duke u punuar që disa asete të mund të përdoren për të ndihmuar Ukrainën, ka pak gjasa që të punohet shumë në këtë drejtim.
Kryeministri belg, Alexander De Croo, shteti i të cilit ka pjesën më të madhe të aseteve të ngrira ruse në nivel të bllokut evropian, ka thënë në Munih që shteti i tij nuk mund të veprojë i vetëm, dhe që duhet hartuar një kornizë prej shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7).
Një zyrtar i BE-së, i ka thënë më pas Radios Evropa e Lirë se nuk ekziston ndonjë dozë gatishmërie e vendeve të G7-ës që të merren tani me këtë punë.
Zelensky është pyetur për mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, në një samit që do të mbahet në këtë korrik në Uashington, mirëpo edhe ai e ka pranuar se jo të gjitha vendet anëtare janë të gatshme për një ftesë të tillë, diçka që më vonë e ka pranuar edhe kryeministri holandez, Mark Rutte.
“Për aq sa vazhdon lufta, Ukraina nuk mund të bëhet pjesë e NATO-s. Nuk mund të stërpremtojmë”.
Si alternativë, Kievi do të fokusohet në nënshkrimin e të ashtuquajturave “pakte të sigurisë” me aleatët kyçë perëndimorë, çka mund të rrisë ndihmën ushtarake për Kievin në të ardhmen.
Zelensky i ka nënshkruar dy paktë të tilla me Berlinin dhe Paris.
Një burim i ka thënë Radios Evropa e Lirë se paktet janë në vlerë të miliarda dollarëve, mirëpo ato nuk do të mund të mbulojnë kërkesën urgjente që ka tani Kievi për ndihmë.
Kur kancelari gjerman Olaf Scholz është pyetur nëse Gjermania është gati të furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë, Taurus, ai vetëm ka thënë se “duhet të vijë momenti i duhur”.
Sytë përtej Atlantikut
Sa i përket mundësisë që Trump të fitojë edhe një mandat presidencial, Zelensky është përgjigjur thjesht se do të merrte atë në front të luftës dhe do t’i tregonte se lufta po ndodh me të vërtetë.
Rutte ka thënë para audiencës se “ne duhet t’i ndalim ankesat për Trumpin” dhe “duhet të punojmë me këdo që është në skenë”.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thënë thjesht se “jam i lumtur brenda çadrës së sigurisë amerikane, mirëpo ajo mund të mos jetë e hapur gjithë kohën”.
Politikanët amerikanë, që kanë qenë prezent në Bavari, sidomos demokratët, kanë qenë më pak të lumtur ndaj idesë për kthim të Trumpit në pushtet.
Hillary Clinton, e cila është mposhtur prej tij në garën presidenciale më 2016, ka paralajmëruar që Trump të trajtohet me seriozitet.
“Ai do të jetë lider tërësisht autoritar nëse do të ketë mundësi të jetë ashtu”.
Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, duke i pasur si referencë qëndrimet e fundit të Trumpit për NATO-n, ka bërë thirrje për të qëndruar të bashkuar.
“Imagjinojeni nëse do të ishim të butë ndaj Putinit, e lëre më ta inkurajonim.
Historia na tregon që nëse jemi të bashkuar, do të vazhdojmë përpara. Në rastin e Putinit do të thotë që të gjithë do të jemi të kërcënuar”.
Problemi qëndron te fakti që ndonëse të gjithë pajtohen që Rusia mund të sulmojë edhe ndonjë vend tjetër evropian në të ardhmen e afërt, nëse është e suksesshme në Ukrainë, veprimet konkrete në terren janë të një tjetër natyre.
Një pjesë për shkak që publiku në përgjithësi në Perëndim, nuk duhet se e merr shumë seriozisht kërcënimin prej Moskës.
Raporti i Munihut për Siguri, i publikuar disa ditë para nisjes së konferencës, vë në pah se kërcënimi prej Rusisë është zvogëluar në krahasim me vitin e kaluar, pasi pesë prej shtatë vendeve të G7-ës e konsiderojnë Kremlinin si kërcënimin e parë.
Këtë vit, ka qenë i dytë në listë.
Është interesante që shtetasit gjermanë tani e shohin Rusinë si shqetësimin e shtatë më të madh, ndërsa italianët e renditin në vendin e 12-të.
Prandaj, sfida e politikanëve, sidomos në Evropë, është si të bindin popullin që Ukraina ka nevojë të ndihmohet.
Është thjesht biznes
Ndërkohë, mund të jetë duke lindur një strategji e re: që lufta në Ukrainë të përdoret si mundësi e pastër biznesi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka folur për nevojën e “zgjerimit të bazës industrial transatlantike” për të mbushur magazinat e vendeve të aleancës me armë dhe për të dërguar ndihmë në Ukrainë.
Duke qenë në Munih, ai e ka përmendur një ndërtesë në Bavari, kur prodhohen raketa Patriot, si shembull të qartë.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka qenë edhe më e hapur për mundësinë e shitjeve, duke thënë se ajo do të propozojë në muajin mars një strategji të re ushtarako-industriale, që parasheh më shumë investime, dhe për marrëveshje të reja që mundësojnë blerjen e pajisjeve ushtarake, edhe nëse ato nuk janë ende gati.
Ajo e ka përmendur edhe nevojën e “rikthimit të taksave tona”, çka do të thotë se dëshiron që punët e mira të jenë në Evropë, edhe pse mund të mos ofrohen prej kompanive evropiane.
Ajo ka thënë se ky hap do të bëhet në përputhje me NATO-n, dhe që Ukraina do të integrohet në programin e bllokut për mbrojtje.
I pyetur se pse po ndodh tani diçka e tillë, pas dy vjetëve të nisjes së luftës në Ukrainë, një zyrtar i BE-së ka thënë se “e vërteta është që evropianët nuk kanë pritur që lufta të zgjasë kaq shumë, ndoshta vetëm disa javë, prandaj pse të krijohet një fabrikë? Mirëpo tani ekziston bindja që ka lindur një mundësi”.
Ky vendim edhe e sqaron disi faktin se pse Evropa po has në vështirësi që të dërgojë municione në Ukrainë.
BE-ja është zotuar në mars të vitit të kaluar që të dërgojë 1 milion fishekë për Kievin brenda një viti.
Mirëpo 12 muaj më vonë, blloku ka dorëzuar 524.000 të tillë dhe tani është zotuar për 1.1 miliard fishekë deri në fund të këtij viti.
Çka është e rëndësishme në këtë temë, sipas një zyrtari të lartë të BE-së, që ka folur në kushte anonimiteti, është se ekziston dallimi në mes të donacionit dhe shitjes së armatimit.
Ndonëse disa kanë insistuar se Evropa tashmë i ka dhënë shumë Ukrainës, kkryeministrja daneze Mette Frederiksen e ka thënë hapur në konferencë se “në magazinat e Evropës ka ende municione”.
Përgjatë konferencës, një zyrtar ukrainas e ka përshkruar situatën në fushëbetejë si të tmerrshme, pasi, sipas tij, ushtria po godet “pa asgjë”, duke treguar se i kanë më pak se 2.000 fishekë brenda ditës, në krahasim me 10.000 të ushtrisë ruse.
Si pasojë e këtij realiteti, Ukraina pritet të humbë më shumë ushtarë dhe më shumë territor.
Ka qenë shumë domethënës edhe momenti kur Zelensky është pyetur për mundësinë e uljes së moshës së rekrutimit të ushtarëve, nga 27 sa është tani, dhe ai i ka ikur përgjigjes në mënyrë elegante.
Disi kështu është zhvilluar edhe konferenca e këtij viti – me retorikë të fuqishme, por ka ndonjë rezultat konkrete.
Të gjithë kanë folur me emocione për vdekjen e Navalnyt, por pak kanë përmendur nevojën për të ndëshkuar Rusinë me sanksione të reja.
Të paktën disa kanë besuar që fati i tij tragjik do t’i nxisë ligjvënësit amerikanë që të miratojnë pakon e ndihmës për Ukrainën, kur ata të mblidhen në mars./REL
Fraksion.com