Arrestohet 25-vjeçari, 79 në pranga deri tani nga “Tempulli 2” në Tiranë
Në kuadër të operacionit “Tempulli 2” kundër shitjes së lëndëve narkotike, Policia e Tiranës njoftoi sot se ka arrestuar një 25-vjeçar të shpallur në kërkim. Sipas policisë, me arrestimin e 25-vjeçarit, numri i të ndaluarve nga ky operacion ka shkuar 79.
Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170 gramë heroinë, 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri pistoleta, 1 armë zjarri automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2 186 000 lekë, 11 610 euro dhe 630 paundë.
“Shërbimet e Seksionit të Kërkimit në bashkëpunim me shërbimet për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, menjëherë kanë vijuar kontrollet intensive për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat, në rrugën “Myslym Shyri”, u kap dhe u ndalua shtetasi M. B., 25 vjeç, banues në Tiranë”, njofton Policia e Tiranës.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi i Policisë.
Fraksion.com