Shembet dhe bllokohet një pjesë e rrugës së re Korçë-Ersekë. Do inaugurohej qershorin e vitit të kaluar
Rruga e re Korçë-Ersekë me gjatësi 35 kilometra pritet të inaugurohej në qershor të vitit të shkuar, por ndërsa të gjitha afatet janë shkelur, aksi jo vetëm që nuk ka përfunduar, por në një segment të tij të sapo ndërtuar, ka pësuar shembje masive duke e bërë atë të pakalueshëm. Dëmtimi i madh i rrugës ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Qarrit.
“Tashmë kantieri është në një fazë shumë të avancuar, pjesa e parë e Lotit të Dytë është përfunduar në 99 %”, deklaronte kohë më parë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Rruga dytësore Korçë–Ersekë është kthyer në një greminë, e cila po gllabëron miliona euro nga buxheti i shtetit. Kosto ka shkuar 60 milionë euro për një rrugë e kategorisë C një karrexhatë me të paktën një korsi lëvizjeje për sens, 35 kilometra e gjatë dhe vetëm 8,5 metra e gjerë.
Punimet për këtë aks nisën në qershor të 2013. Tenderi për lotin e parë me gjatësi 17,6 kilometra, u fitua nga kompania A.N.K. me një ofertë prej rreth 17 milion euro.