AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: BP duhet të jetë në një tavolinë me BE, jo me të drejtë vote, por si pjesë e së njëjtës familje

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në konferencën e Sigurisë në Mynih, duke diskutuar në panelin mbi “Ballkanin Perëndimor dhe çështjet aktuale, perspektivën e përbashkët dhe të ardhmen e sigurisë globale në një kohë sfidash”, tha se Ballkani Perëndimor është brenda hartës së BE, por mungon integrimi me organet e tjera të trupit të familjes europiane.

Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor në radhë të parë detyrat duhet t’i bëjnë për vete, për të qenë njëlloj si vendet e tjera të BE.

“Unë mendoj, pikësëpari, se nuk duhet të kemi data në mendjet tona. Ne kemi kaluar një traumë me këto data, organizime dasmash, por nusja nuk erdhi kurrë, por erdhi një letër, që ishte raporti i progresi ku na thonin ju dashurojmë, por vijoni të punoni se ne s’jemi gati. Asnjë datë, e para, pasi s’ka të bëjë me ta, por me ne. Dhe nuk ka asnjë nxitim, djema s’po kërkojmë të hymë aty, por të nisim bisedimet e anëtarësimit pasi duam të mësojmë dhe negociatat janë transferimi më produktiv i njohurive për t’u shndërruar në një vend funksional me institucione funksionale, dhe pastaj do të hyjmë kur të jemi gati”, tha Rama.

“S’duhet të nxitojmë, por duhet të bëjmë punën tonë për të patur vendet tona si të tyre, dhe pastaj ata do vendosin kur do futemi”, vijoi ai.

Rama shtoi se ka dhe një anë tjetër të medaljes.

“Por diçka në mes është ajo çfarë ka nisur, plani i ri i rritjes, më shumë para për ne në rajon dhe pastaj hapësira për t’u integruar në tregun e përbashkët europian dhe siguria. Duhet të jemi të gjithë së bashku, pse të mos jemi në të njëjtën tryezë, e kështu me radhë. E pse të mos na lenë të jemi gjithkund në korridore, në Parlamentin Europian, në Komitete, në Këshill, jo si anëtarw me të drejtë vote, por si pjesë e së njëjtës familje. Është paksa njësoj sikurse shkon në shtëpinë e të fejuarës, të lejojnë, je anëtar i familjes, por natyrisht në mbrëmje të duhet të ikësh, po nesër kthehesh prapë. Kështu e shoh pak a shumë dhe ka shenja të mira që kjo po ndryshon. Pastaj nuk e di sepse ajo çfarë po ndodh me Ukrainën, ajo çfarë po ndodh në përgjithësi është e trishtë. Duhet, jo ne, sepse e kemi thënë prej një kohe të gjatë që hyrja e Ballkanit Perëndimor nuk është zgjerim. Nuk më duhet të zgjerohem nëse dua të më funksionojë stomaku së bashku me pjesën tjetër të trupit. Më duhet, këtë stomak ta kem njësoj të funksionojë më pjesën tjetër të trupit”,  u shpreh Rama.

Ai theksoi se Ballkani Perëndimor është brenda kufirit të BE.

“Bashkimi Europian është i vetmi realitet në historinë e gjeografisë dhe të hartave me një kufi të jashtëm dhe me një kufi të brendshëm dhe brenda kufirit të brendshëm jemi ne, kështu që nuk mund të na heqin qafe. Pra, jemi aty ose do të përdorim për të tretur më mirë apo do të kemi pastaj mostretje dhe pastaj trupi do të kolapsojë dhe pastaj vjen një pikë ku ti shpërthen nga një kolaps”, ka theksuar Kryeministri.

Fraksion.com