AktualitetTë fundit

Plagosi kolegun nga pakujdesia, procedohet penalish inspektori i policisë

Prokuroria, Policia Gjyqësore dhe AMP kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë, për punonjësin e Policisë K. Ç., për plagosje nga pakujdesia.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi sot se më datë 15 shkurt rreth orës 12:40, në ambientet e Njësisë së Sigurisë Publike Tiranë, punonjësi i Policisë Inspektor K. Ç., gjatë përgatitjes për stërvitje, dyshohet se nga pakujdesia i ka shkrepur arma e shërbimit dhe për pasojë është plagosur në këmbë, punonjësi i Policisë Inspektor Xh. L., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa punonjësi i Policisë K. Ç. është pezulluar nga detyra.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe veprimet procedurale për këtë rast po kryhen nga AMP.

Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar një hetim të thelluar administrativ për mosrespektimin e procedurave standarde për mbajtjen dhe administrimin e armëve të brezit, nga punonjësit e Policisë.

 

Fraksion.com