AktualitetPolitikëTë fundit

Përjashtimi me 10 ditë i deputeteve Vokshi e Hoti, Agalliu: Lojë e mirëfilltë politike

Deputeti i Partisë Demokratike, të drrjtuar nga  Lulzim Basha, Arbi Agalliu reagoi sot pas përjashtimit me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputeteve të grupit të “Rithemelimit” në Partinë Demokratike, Albana Vokshi dhe Elda Hoti.

Agalliu u shpreh se nuk ka pasur asnjë ankesë ndaj dy kolegeve.

“Nëpërmjet medias mësova që dy koleget Albana Vokshi dhe Elda Hoti janë përjashtuar me 10 ditë, me pretekstin se më kanë ndërprerë fjalën në seancën e fundit! Dua të bëj me dije se personalisht nuk kam pasur asnjë pretendim dhe asnjë ankesë ndaj dy kolegeve”, theksoi ai në një reagim në rrjetet sociale.

Agalliu nënvizoi se, “kjo është një lojë e mirëfilltë politike që Kryetarja e Parlamentit vijon e bën me urdhër të Kryeministrit”.

“Ajo që kam kërkuar dhe kërkoj është ballafaqimi i Kryeministrit me akuzat që ish zëvendësi i tij dhe njeriu i tij më i afërt, bashkëpunëtori i tij i ka bërë”, përfundoi deputeti i PD, Arbi Agalliu.

Fraksion.com