Meta: Pension të pjesshëm kush ka nën 15 vite pune! E çojmë në Kuvend, pensionistët më të diskriminuarit nga kjo qeveri
Njohja e pensioneve të shqiptarëve nga Italia është një hap i madh thotë Ilir Meta kreu i Partisë së Lirisë, por ky ishte fryt i 15 vjet negociatave ndërsa qeveria shqiptare ka përjashtuar nga skema kontribuuesit me më pak se 15 vite punë.
“Iniciativë ligjore për ndryshimin e skemës së sigurimeve shoqërore për t’u mundësuar të gjithë atyre personave të cilët nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme të punës sipas ligjit, të përfitojnë pension të pjesshëm të pleqërisë, pavarësisht se kanë më pak se 15 vite gjithsej pune”, tha Meta.
Në tryezë me pensionistët, invalidët e punës dhe grupe e tjera përfituese, Meta veçoi se rritja e pensioneve nuk është bërë në përputhje të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe rritjen e pagave.
“Qeveria i ka borxh secilit pensionist në zonat urbane mesatarisht në çdo muaj 7489 lekë dhe në zonat rurale në 3238 lekë për shkak të mos indeksimit të plotë mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë dhe rritjes së munguar të pensionit nga rritja ekonomike”, u shpreh Meta.
Ekspertët në tryezë u shprehën të shqetësuar për uljen e numrit të kontribuuesve dhe mosdeklarimin e plotë të pagave duke rrezikuar skemën e pensioneve. Partia e Lirisë thotë Meta do të bëjë disa propozime ligjore për reformimin e skemës.
Sipas FMN 91 mijë të moshuar në Shqipëri janë të vetmuar dhe për sociologun Gëzim Tushi të jesh nën lëkurën e këtyre të moshuarve është e llahtarshme.
“Pensionistët nuk kanë nevojë vetëm për para. Të jesh i moshuar nuk është fatkeqësi, por vlerë e shoqërisë. Na duhet një strategji e re për të kombinuar shërbimet rezidenciale me ato jorezidenciale. Rrjeti aktual i shërbimeve është i pakët. Në 11 njësi bashkiake në Tiranë dhe 61 bashki, të krijohen disa qendra ku të moshuarit të shkojnë atje e të mos vërdallisen rrugëve. Një ditë të shkojë psikologu, një ditë sociologu”, tha Tushi.
Sipas Bankës Botërore një person me të ardhura në 6.85$ në ditë konsiderohet në kushtet e varfërisë. Në referencë thotë Meta, në Shqipëri një mase e madhe pensionistesh jetojnë në kushtet e varfërisë ku në fshat pensioni mestar është 18842 lekë baraz me 6.3$ dhe në qytet pensioni mesatar është 11239 lekë baraz me 3.8$.
Propozimet e Partisë së Lirisë
1.Do të propozojë një amendament në ligjin e pensioneve për një përfitim në përputhje me masën e kontributit të atyre punonjësve të cilët kanë kontribuar në skemën e pensioneve në më pak se 15 vite
2.Do të propozoj një amendament në ligjin e pensioneve për një ndryshim të llogaritjes së indeksimit të masës së pensioneve duke konsideruar rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë
3.Do të propozoj Gjykatës Kushtetuese të gjykojë mbi shkeljen e ligjit të pensioneve nga Qeveria për mos indeksimin e masës së pensioneve në përputhje me ligjin përkatës
4.Do të propozoj Gjykatës Kushtetuese mbas këtij gjykimi rimbursimin e plotë të pensionistëve të rritjes së munguar ndër vite për 2013-2023
Fraksion.com