AktualitetPolitikëTë fundit

Mblidhet asambleja e PS në Fier, Balla: Synojmë të thellojmë fitoren në vitin 2025

/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Taulant Balla, pas takimit të Asamblesë së Zgjeruar Socialiste, tha se objektivi i mazhorancës është të thellojë fitoren.

Ai shtoi se organizimi i brendshëm që po kryen Partia Socialiste vjen në funksion të këtij objektivi madhor.

“Procesi i zgjedhjeve brenda PS është një proces i rëndësishëm i forcës më të madhe politike në vend. Ky takim i sotëm i shërbeu pikërisht një konsulte me gjithë drejtuesit e organizatave të PS në të gjithë Fierin. Mos harroni që Fieri mbetet bashkia me numrin më të madh të anëtarëve të PS”, u shpreh Balla.

“Si e tillë na duhet që gjatë këtij procesi, deri në 20 prill kur ne duhet të kemi zgjedhjen përmes sistemit “një anëtar – një votë” të delegatëve të kongresit të PS, jo vetëm që të plotësojmë nevojat e të gjitha atyre njësive, pra organizatave me prurje të reja, më anëtarë të rinj. Por është shumë e rëndësishme që ky proces të shërbejë edhe si një ftesë publike drejtuar të gjithë profesionistëve dhe kujtdo që ka dëshirë të bëhet pjesë e anëtarësisë së PS”, vijoi Balla.

“Do të kemi me ju komunikime, pothuajse të përjavshme, sepse do të kemi aktivitete publike me sipërmarrjen, me profesionistët e fushave të ndryshme, me bujqit, jo vetëm për të diskutuar problematikat por edhe për të krijuar një aleancë mes PS Fier dhe të gjithë këtyre grupimeve, për t’u bërë gati për sfidën e ardhshme zgjedhore. Synimi i PS është një fitore më e thellë se ajo që kishim në përballjen tonë të fundit elektorale”, bëri të ditur Balla.

Ai tha se PS ka arritur të thellojë fitoren nga viti në vit, kësisoj objektivi është i qartë.

“Pushteti, ose forca që ka shumicën në Kuvend, caktohet vetëm me zgjedhje dhe me votën e qytetarëve shqiptarë. Nëse i hidhni një sy rezultateve zgjedhore, PS në çdo palë zgjedhje, ka marrë më shumë vota sesa në zgjedhjet pararendëse. Pra kemi marrë më shumë vota në vitin 2017 se në vitin 2013, më shumë vota në 2021 sesa në 2017, dhe prandaj ky organizim dhe ky masivitet që shikoni sot këtu lidhet pikërisht me përpjekjen që PS, në zgjedhjet e vitit 2025, maksimalisht, të kemi një rezultat më të mirë zgjedhor se ai që kemi pasur. Kështu që unë nuk shoh kurrsesi lodhje, por shoh më shumë energji dhe nevojë për ta dinamizuar PS”, thekson Balla.

Më tej, ai tha se duhen kthyer në aktivë anëtarët e partisë që po tregojnë pasivitet.
“E kam ngritur shqetësimin, sepse lidhet me faktin e një numri anëtarësh partie të cilët kanë kaluar në një status pasiv, pra vazhdojnë të jenë brenda PS, por, për shkak edhe të moshës, dhe natyrshëm që kjo është epërsia, ndër shumë epërsi që ka PS me kundërshtarët, është edhe shkëmbimi i brezave e gjeneratave. Sot në PS ka plot djem e vajza të rinj, që janë afruar brenda PS, janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë, përfshirë këtu edhe përgjegjësitë e përfaqësimit. U jam drejtuar edhe deputetëve, edhe kryebashkiakëve, në të gjitha bashkitë e qarkut, që ky është një moment ku secili prej nesh duhet të vrapojë më shumë sesa zakonisht”, vijoi Balla.

Në fund, ministri Balla, i pyetur nga gazetarët për daljet e Berishës në ballkon, teksa është në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ai tha se është e papranueshme që të ndodhë një gjë e tillë..

 

Fraksion.com