Balla: Policia dhe SPAK, kontribut në suksesin e operacionit ndërkombëtar “La Pampa”
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi sot lidhur me operacionin “La Pampa”, realizuar nën koordinimin e EUROPOL dhe zbatimin nga Policia Kombëtare spanjolle dhe me kontributin e Policisë së Shtetit dhe SPAK.
“Sapo kam marrë përgëzimet për kontributin e Policisë së Shtetit dhe të SPAK, në realizimin me sukses te operacionit La Pampa, nën koordinimin e EUROPOL dhe zbatimin nga Policia Kombëtare spanjolle, i cili çoi në goditjen një rrjeti të rëndësishëm të trafikut të drogës nga Ekuadori drejt BE-së”, theksoi Balla në një postim në rrjetet sociale.
Balla bëri të ditur se “ky operacion ndërkombëtar shënoi: 31 arrestime, në Spanjë dhe Ekuador, sekuestrimin e 25 automjeteve, 10 armë zjarri, pajisje elektronike me vlerë rreth 13 milionë euro dhe afro 3 milionë cash në valuta të ndryshme dhe pasuri të sekuestruara me një vlerë totale prej rreth 48 milionë euro”.
“Bashkëpunimi gjithmonë më i fortë dhe suksesshëm me agjencitë e bashkëpunimit policor, EUROPOL dhe INTERPOL, është tregues i qartë i besueshmërisë dhe profesionalizmit të Policisë së Shtetit, cilësi tashmë të njohura dhe të vlerësuara edhe nga këto organizata partnere”, tha Balla.
Fraksion.com