AktualitetPolitikëTë fundit

“Trashëgimi e mbrojtur nga UNESCO”, Zhupa kërkon interpelancë me ministrin Gonxhja

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka depozituar në Kuvend kërkesën për interpelancë me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.

Sipas kërkesës së saj, në fokus të interpelancës pritet të jetë situata e pasurive të Shqipërisë që janë në listën e trashëgimisë botërore të mbrojtura nga UNESCO.

Në shkresën e saj drejtuar Kuvendit, Zhupa thekson se me interes është dhe niveli i bashkëpunimit të vendit tonë me UNESCO-n, sa  i takon ruajtjes së këtyre pasurive.

“Pasuritë tona kombëtare të njohura nga Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) në listën e trashëgimisë pasuri botërore të mbrojtura janë padyshim krenari për cdo shqiptar sot edhe do jenë edhe në brezat e ardhshëm. Ky status i veçantë nga UNESCO,  jepet kur gjykohet se përmbajnë “trashëgimi kulturore dhe natyrore për mbarë botën që konsiderohet të jetë me vlerë të jashtëzakonshme për njerëzimin”, thuhet në shkresë.

“Shqipëria ka fatin që deri më sot të ketë të listuara 7 pasuri botërore UNESCO, kulturore edhe natyrore, materiale edhe jo materiale. Është në detyrën tonë si ligjvënës që në fokusin e punës tonë të jetë edhe mbrojtja e tyre edhe kërkesa për llogaridhënie e përgjegjësve në institucione për gjendjen e tyre dhe pse jo për të dhënë edhe kontributin  secili në shtimin e tyre me të reja nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore që mund të bëhen pjesë e kësaj liste në të ardhmen”, vijon shkresa.

“Për sa më sipër, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur gjendjen aktuale, ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin, mirëmbajtjen e pasurive tona në listën e trashëgimisë botërore të mbrojtura nga UNESCO, si dhe dhënien e shpjegimeve për nivelin e bashkëpunimit dhe planet e të ardhmes me UNESCO në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të nenit 80, pika 1 të Kushtetutës dhe nenit 96, pikat 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një interpelance me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja”, përfundon shkresa e deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

 

Fraksion.com