AktualitetPolitikëTë fundit

Sot vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit Blinken në Tiranë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pritet të mbërrijë sot paradite në Tiranë, në vizitën e tij të parë dhe të gjashtën të një shefi të diplomacisë amerikane në Shqipëri që pas rrëzimit të rregjimit komunist. Bulevardi kryesor i kryeqytetit shqiptar që prej ditës së djeshme është zbukuruar në të dy anët e tij me flamujtë shqiptarë dhe amerikanë. Ndërsa në fasadën e Universitetit të Tiranës, godinës e cila ngrihet si pika fundore e këtij bulevardi është vendosur një foto gjigande e zoti Blinken, duke i uruar atij mirëseardhjen. I njëjti poster i përdorur sot që në mëngjes nga kryeministri Edi Rama në llogarinë e tij në Facebook.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, “Sekretari Blinken do të konfirmojë marrëdhëniet e afërta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit kur njoftoi zyrtarisht vizitën e tij në kryeqytetn shqiptar, duke vënë në dukje se Shqipëria cilësohet si “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”

Ndërsa dy ditë më parë Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim tha se vizita e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Shqipëri të enjten do të përqendrohet tek “ e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”. Zonja Kima theksoi se “vizita vjen pasi ne kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në 2023. Shqipëria është tani në Këshillin e të Drejtave të Njeriut”.

Nga ana e tij kryeministri Rama ka vënë në dukje se “ardhja e një Sekretari të Shtetit, në këto kohë kaq të trazuara për botën, si edhe zgjedhja për ta vizituar rajonin tonë duke u ndalur pikërisht në kryeqytetin shqiptar, kanë një vlerë të veçantë për Shqipërinë”. Ai ka nënvizur se “Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në këtë rajon, një vend të përkushtuar të NATO-s, të vendosur pa rezervë në mbështetjen e luftës së Ukrainës mike për lirinë dhe mbijetesën e saj dhe një Shqipëri mirënjohëse për miqësinë e pazëvendësueshme dhe për mbështetjen pa rezerva të Shteteve të Bashkuara në rrugën e transformimit tonë rrënjësor, e posaçërisht në këtë kohë, një Shqipëri falënderuese për partneritetin e çmuar të Shteteve të Bashkuara në reformimin historik të sistemit të drejtësisë”.

Studiues të ndryshëm kanë vënë në pah se vizita e sotme e Sekretarit Blinken merr një rëndësi të veçantë për të gjithë Ballkanin Pernëdimor, duke dëshmuar angazhimin amerikan në këtë rajon përballë përpjekjeve destabilizuese të Rusisë. Në këtë kontekst ajo shihet dhe si një vlerësim për rolin e Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për qëndrueshmërinë e rajonit.

Sekretari Blinken pritet të mbërrijë rreth orës 11.00 dhe do të qendrojë në Shqipëri deri në mbrëmje. Zyrtarisht, deri më tani, janë parashikuar takime të tij me Presidentin Bajram Begaj dhe me Kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të ketë dhe një dalje për mediat. Zoti Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP./VOA

 

Fraksion.com