AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Tony Blair është arsyeja pse jam sot kryeministër

Kryeministri, Edi Rama, ndodhet këtë të martë në Dubai dhe së bashku me ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair po diskutojnë në panelin e Samitit Botëror të Qeverisjes mbi rolin e teknologjisë në adresimin e sfidave aktuale.

Gjatë fjalës së tij, Blair ka thënë se Shqipëria po bën hapa të jashtëzakonshëm përpara teksa ka shtuar se kryeministri Rama është i përqëndruar tek revolucioni teknologjik.

“Një shtet i shekullit të XIX ishte një shtet minimalist, nuk bënte shumë për njerëzit, nuk gjeneronte të ardhura. Ndërkohë që shteti i shekulit XX u rrit dhe u bë një aparat i jashtëzakonshëm, sidomos në kombet e zhvilluara me sasi të mëdha parash, por që sot nuk po funksionon në mënyrë efektive. Pyetja për këtë shekull është se a mund ta ripërfytyrojmë shtetin përmes teknsologjisë dhe të ndërtojmë shtete të shekullit të XXI që të ofrojnë shërbime shumë më të mira me një kosto më të ulët? Kjo është sfida dhe nuk ka njeri më të mirë për të diskutuar këtë sesa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Shqipëria është një vend që në vitet 80’ dhe në fillim të viteve 90’ ishte lënë pas bote, ndërkohë që gjatë këtyre viteve ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara. PBB-ja është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë këtyre 10 e kusur viteve dhe Edi si kryeministër është i përqëndruar tek revolucioni teknologjik. Titulli i panelit tonë është: A është zgjidhje teknologjia? Sa i madh është ky revolucion teknologjik dhe sa e vështirë është për udhëheqësit politikë që të mbajën ritmin me të?”-tha Blair.

Ndërkaq, kryeministri Rama u shpreh se Blair ka qenë frymëzimi i tij në politikë.

“Unë nuk do të isha as kryeministër dhe as një njeri i angazhuar në politikë nëse nuk do të ishte për të dhe para se ta njihja ishte frymëzimi im në politikë dhe për të besuar se politika mund të jetë një rrugë e tretë për të majtën. Dolëm nga një terr shumë i gjatë. Ishim të izoluar prej botës na thuhej se ishim i vetmi vend komunist. Ishim të vetmuar në një varfëri që sot nuk mund ta marr me mend si mund të ishte e tillë. Kur hyjmë në epokën e ndërtimit të institucioneve, ajo që mësuam është që sistemin mund ta ndryshosh brenda ditëve, por institucionet nuk i ndërton dot as për vite të tëra. Nuk e di sa dekada apo shekuj do të kërkonte. Me teknologjinë mund të bësh një kapërcim në të ardhmen, e cila është një gjë e cila deri në zhvillimet e inovacionit do të ishte e paimagjinueshme”-tha Rama.

Fraksion.com