“Ka pasur kritika”, deputeti i PS zbardh prapaskenat e mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë
Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia ka mohuar zërat se brenda Asamblesë së PS-së ka pasur debate dhe personazhe që janë kritikuar.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Qefalia tha se ishte një mbledhje e zakonshme ku kryefjalë është viti elektoral. Duke u ndalur te Veliaj, ai tha se nuk pa pasur kritika nga ana e Ramës, pasi drejtuesi politik i qarkut të Tiranës pati rezultate spektakolare elektorale në zgjedhjet e 14 majit.
“Ka dy ditë që dëgjoj në media, ku konsiderohet se asambleja ka pasur linçime emrash, si për rastin e Veliajt. Ajo ishte një mbledhje e zakonshme pune, nuk pati gjë të veçantë. Por kur mbledhjet bëhen të mbyllura, krijojnë një lloj ilariteti. Nuk ka pasur asnjë linçim apo gjë që stonon, por janë mbledhje pune. Kritika ka si në çdo punë. Organizmi i punës së qarkut të Tiranës është i madh. Për hir të së vërtetës pati shumë ide për të mos shmangur as përgjegjësitë. Ne jemi në vit elektoral, ndaj kërkon dhe impenjim. Do të përmirësojmë strukturat organizative të partisë. Partia Socialiste është si një familje që diskuton brenda saj problemet.”, tha Qefalia.
Fraksion.com