BE: Projektligji për KPM-në të mos ndikojë negativisht në lirinë e mediave
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ndryshimet në Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KMP) duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.
Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Ioanna Lachana, tha se blloku evropian ka avokuar vazhdimisht që Kosova të rishikojë ligjin për KPM-në, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me Direktivën e BE-së për mediat audo-vizuale.
“Është thelbësore që Kosova të miratojë ligjin me shpejtësi, përmes një procesi të hapur dhe transparent, me konsultimet e duhura, ku do të përfshihej shoqëria civile dhe organizatat mediale”, tha zëdhënësja e Zyrës së BE-së.
Lachana tha se BE-ja aktualisht është duke analizuar ndryshimet në Projektligjin për KPM-në dhe më pas do të japë komente për të “tek autoritetet kompetente”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në projektligjin, i cili synon rregullimin e mediave online. Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj mediave, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediat.
I ashtuquajturi Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.
Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.
Aktualisht, tekstet e publikuara në mediat online monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës.
Ndërkohë, përmbajtja audio-vizuale e publikuar në mediat online nuk monitorohet nga askush. Këshilli i Mediave të Shkruara, ka thënë se në shumicën e rasteve videot e publikuara shoqërohen me një tekst për të njëjtën temë dhe kështu bëhet monitorimi edhe i tyre.
Në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian është thënë se “amendamenti, që është aktualisht në proces, do të duhej ta harmonizonte më tej Ligjin me Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audio-Vizuale për t’i shtrirë kompetencat e tij edhe në mediat audio-vizuale online”./rel
Fraksion.com