AktualitetPolitikëTë fundit

“Prani e shtuar fizike në terren”, Çuçi mbledh grupin parlamentar të PS: Konsiderojeni si një periudhë fushate

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh sot për të diskutuar mbi agjendën e javës së re në Kuvend.

Kreu i këtij grupi, Bledi Çuçi drejtoi mbledhjen duke vënë në dukje për deputetët e mazhorancës porositë e kryetarit të partisë, Edi Rama në Asamblenë e mbajtur një ditë më parë.

“Duhet një prezencë e shtuar fizike në terren sipas zonave tuaja. Konsiderojeni këtë si një periudhë fushate duke nisur që nga dje. Është shumë e rëndësishme që procesin zgjedhor brenda partisë ta ndjekim personalisht. Ka nevojë për ritëm të shtuar për të kapur afatet”, u shpreh Çuçi.

Lidhur me seancën e ditës së enjte, Çuçi foli për projektligjet që janë në rendin e ditës për t’u votuar. Bëhet fjalë për Projektligjin “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore” dhe Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore”

Sa i përket Amnistisë Penale do të shqyrtohen nëpër komisione gjatë kësaj jave amendamentet që janë propozuar në mënyrë që projektligji të shkojë për votim në seancën e javës së ardhshme.

 

Fraksion.com