Netanyahu urdhëron evakuimin e civilëve nga Rafahu
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netayahu, tha se ka urdhëruar ushtrinë që të përgatisë një plan për evakuimin e popullatës në Rafah, para një pushtimi të pritur izraelit në këtë qytezë në jug të Rripit të Gazës.
Netanyahu e bëri këtë njoftim të premten, më 9 shkurt, pas kritikave ndërkombëtare për planin e Izraelit për të pushtuar këtë qytet të stërmbushur me banorë, që gjendet në kufi me Egjiptin.
Izraeli tha se Rafahu është bastioni i fundit i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe i duhet të dërgojë trupat për të kompletuar planin e tij të luftës kundër grupit radikal palestinez.
Vlerësohet se 1.5 milion palestinezë gjenden në qytezën e Rafahut, pasi kanë ikur nga luftimet në pjesët e tjera të Gazës.
Netanyahu tha të premten se është i nevojshëm “një operacion masiv” në Rafah. Kryeministri izraelit tha se u ka kërkuar zyrtarëve të sigurisë që të prezantojnë “një plan të dyfishtë” do të përfshinte evakuimin e civilëve dhe një operacion ushtarak për të “kolapsuar” njësitë e mbetura të Hamasit.
Më herët, Egjipti, që ndan një kufi me Rafahun, ka thënë se çdo operacion tokësore në zonën e Rafahut, apo ndonjë zhvendosje e madhe përtej kufirit, do të minonte traktatin 40-vjeçar të paqes që ka me Izraelin.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit u nxit pasi grupi radikal palestinez kreu sulm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Në Gazë, si pasojë e ofensivës izraelite, janë vrarë mbi 27.000 palestinezë, janë zhvendosur shumë të tjerë dhe çereku i popullsisë është në prag të urisë.
Fraksion.com