Balla: Pikat e kalimit kufitar, nën administrimin e Ministrisë së Brendshme
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh sot pas analizës vjetore të DVP Dibër dhe Kukës se janë mbuluar një numër i konsiderueshëm i pikave të kalimit kufitar dhe po ashtu edhe një sërë çështjesh që lidhen me krime kundër mjedisit apo problematika.
Balla tha se po punohet për një qasje të re në pikat e kalimit kufitar.
“Ministria e Brendshme do të propozojë në Këshillin e Ministrave disa vendime që lidhen me marrjen në administrim nga Ministria e Brendshme të të gjitha pikave të kalimit kufitar, për t’i dhënë fund historisë së lloj-lloj ndërtimesh, që gjenden afër “buffer zone” të pikave të kalimit kufitar, me qëllim po ashtu, përmirësimin e të gjitha shërbimeve që ofrohen në PKK, qoftë nga policia kufitare, qoftë nga dogana shqiptare, apo nga institucionet e tjera publike”, theksoi Balla.
Duke iu referuar pikëkalimit kufitar të Bllatës, Balla theksoi se kjo pikë do të ketë vëmendje edhe në përmirësimin e të gjitha shërbimeve që ofrohen në këtë pikë për të shkurtuar kohën e përpunimit.
“Atë që kemi bërë në Qafë-Thanë, në komunikim me kolegët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ta bëjmë edhe në këtë pikë të kalimit kufitar”, tha ministri i Brendshëm.
Balla u ndal tek analiza e punës në Dibër.
“Kemi rakorduar edhe me institucionin e prokurorisë, të cilët gjej rastin t’i falënderoj në rastin e Dibrës, për bashkëpunimin e shkëlqyer, që kemi pasur në goditjen e një sërë aktivitetesh kriminale. Kemi në këndvështrim dhe nën vrojtim monitorimin tonë për grupe të caktuara kriminale, që zhvillojnë aktivitete në fusha të caktuara dhe po punojmë bashkë me prokurorinë për të goditur çdo lloj aktiviteti kriminal me një fokus sikurse e keni parë, edhe sa i përket kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke synuar që të garantojmë jo vetëm shkolla të sigurta, por edhe komunitete të sigurta dhe mos harroni se për shkak të qasjes në kufi me Republikën e Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, mos harroni se kemi një sërë aktivitetesh që lidhen me trafikimin apo me kontrabandimin, të cilat janë fokusi i punës tonë”, tha Balla.
Balla vuri në dukje se gjatë javëve të fundit ka pasur dy raste të angazhimit të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Repartit të Policisë Alpine, për t’u ardhur në ndihmë turistëve, qofshin këta vendas apo të huaj, të cilët kanë kërkuar ndihmë nga ana e Policisë.
“Në fakt kjo si detyrë funksionale, nuk ka qenë më parë e parashikuar. Tashmë për shkak të angazhimit dhe të fokusit tone te turizmi për të garantuar siç i ka hije shqiptarit, një Shqipëri të sigurt. E vërteta është që sezoni turistik i vitit 2023, tregoi që Shqipëria jo vetëm po bëhet një kampione e turizmit në Ballkan, për shkak të bukurive të veta natyrore, për shkak të mikpritjes mbresëlënëse, por po aq mbresëlënëse është edhe siguria publike në të gjitha dimensionet e saj”, vijoi Balla.
Fraksion.com