AktualitetTë fundit

UNESCO: Krijimi i një fondacioni nuk përmbush menaxhimin e integruar të Butrintit

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për trashëgiminë botërore, UNESCO thotë në një raport për Parkun më të njohur Kombëtar në Shqipëri, Butrintin, se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimim e integruar të Butrintit dhe u rekomandon autoriteteve shqiptare që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo vetëm të një pjese të saj.

Çështja e menaxhimit të Parkut të Butrintit është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila në një gjest të pazakontë, ditë më parë, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s.

Raporti i UNESCO-s është përgatitut në tetor të vitit të kaluar, por qeveria shqiptare nuk kishte dhënë pëlqimin e saj që ai të bëhej publik.

Zëri i Amerikës, e siguroi raportin pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bazë të ligjit për të drejtën e informimit.

Raporti i UNESCO-ICOMOS ngre shqetësim të thellë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Raporti i përbashkët i UNESCO-ICOMOS, dërguar tek autoritetet shqiptare tetorin e vitit 2023 paraqet kritika të forta për rishikimin e kufijve të Parkut Kombëtare të Butrintit pa venë në dijeni UNESCO-n dhe për mos sigurimin e menaxhimit të integruar të Butrintit, siç kanë kërkuar misionet e mëparshme të organizatës botërore që kanë monitoruar Butrintin.

Misioni i Unescos thotë në raport se se “ përveç krijimit të Fondacionit të ri të Menaxhimit të Butrintit, asnjë propozim tjetër për sigurimin e zbatimit të Planit të Menaxhimit nuk u prezantua gjatë misionit nga autoritetet shqiptare”.

“Vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe vetë Planit të menaxhimit për një menaxhim të integruar të Butritnit, thuhet në raport.

Një marrëveshje mes ministrisë shqiptare të kulturës dhe fondacionit shqiptaro-amerikan të zhvillimit (AADF) për krijimin e një fondacioni për menaxhimin e Butrintit përfshin vetëm njërën zonë të parkut të Butrintit të njohur si zona A3, ku ndodhet pjësa më e madhe e qytetit antik, duke lënë jashtë tre zona të tjera pjesë e parkut kombëtar të Butritntit.

Misioni i UNESCO-s rekomandon në raport se për të siguruar mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave universale të kësaj pasuri botërore dhe integritetin e saj, Ministria e Kulturës duhet të ruajë mbikëqyrjen e menaxhimit të të gjithë pasurisë së trashëgimisë botërore, jo vetëm të një pjese të saj.

Misioni thotë në raport se konfirmoi heqjen së fundi nga Parku Kombëtar i Butrintit të rreth 600 hektarëve nga zona B afër Ksamil, ku aktualisht është në ndërtim e sipër një kompleks turistik rezidencial.

Sipas misionit “heqja e 600 hektarëve nga Parku Kombëtar, nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore dhe përfaqëson një ndryshim në regjimin mbrojtës të një pjese të ndjeshme të zonës tampon dhe ndoshta edhe të një pjese të vogël të pronës së Trashëgimisë Botërore që tani shtrihet jashtë kufijve të Parkut Kombëtar”.

Misoni i ka bërë të njohur autoriteteve shqiptare se pret një kërkesë zyrtare pranë UNESCO-s për këtë ndryshim të ndërmarrë nga qeveria shqiptare pa dijeninë e organizatës.

Misioni u ka kërkuar autoriteteve shqiptare si çështje urgjente, që t`i sqarojnë Qendrës së Trashëgimisë Botërore se cilat janë masat e mbrojtjes aktualisht për të gjithë pronën e Trashëgimisë Botërore që përfshihet në Parkun e Butrintit dhe zonën e saj tampon brenda kufijve të parkut.

Qeveria shqiptare ka vendosur që menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit të kryhet nga një fondacion i krijuar nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni shqiptaro ameirkan i zhvillimit për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.

Një grup prej 36 deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Gjykata Kushtetuese, në një gjest të pazakontë, pak ditë më parë, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s dhe rihapjen e seances plenare për Butrintin.

Fraksion.com